Vendosni fjalën kyçe....

Rama për ERT: Beleri njësoj para ligjit, Greqia mban ende Ligjin e Luftës me Shqipërinë


Kryeministri Rama tha në një intervistë për televizionin publik grek ERT se Fredi Beleri është njësoj si të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe do duhet të përballet me drejtësinë.

Kryebashkiaku i zgjedhur i HImarës, i cili ndodhet në qeli pasi akuzohet për blerje votash, ishte temë kryesore e intervistës së kreut të qeverisë me gazetarin shqiptar të ERT-së.

Ai përmendi edhe Ligjin e Luftës që Greqia mban ende në fuqi ndaj Shqipërisë të cilin e quajti ‘arkaizëm të madh’.

“E rëndësishme të dëgjohen të dyja kambanat, jo njëra. Kjo është arsyeja se pse e kontaktova vetë gazetarin grek. Ka 80 vjet që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore, dhe ende Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, një arkaizëm i madh, ne jemi shumë të interesuar ta shohim të larguar nga rruga jonë e përbashkët. Besoj tek miqësia dhe tek interesi ynë i përbashkët për të forcuar sa më shumë këtë miqësi, ashtu siç besoj se minoriteti grek në Shqipëri është një thesar i kulturës sonë të bashkëjetesës mes dy popujve, shteteve dhe dy shteteve, pavarësisht kush qeveris. Zotëria është qytetar i Republikës së Shqopërisë që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, por edhe duhet të përgjigjet para ligjit si çdo qytetar. S’mund të ketë dy drejtësi një për qytetarët shqiptarë me kombësinë shqiptare dhe një për ata me kombësinë greke.” – tha Rama.

Më tej kreu i qeverisë tha se kërcënimi nga Athina për hakmarrje ndaj Shqipërisë lidhur me çështjen Beleri është ‘antik’  e ‘jo evropian’.

Rama theksoi se Tirana e sheh Greqinë si partner jo vetëm në Ballkan po edhe në BE.

“Por një gjë dua të them në fund. Greqia apo Athina mendon se topi është në këtë zyrë për këtë çështje, duke lënë të nënkuptohet që nëse topi nuk shkon në atë drejtim ku e do Athina, Athina do të hakmerret me Shqipërinë, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, kjo është jo evropiane dhe kjo është shumë antike sipas meje. Te Greqia unë shoh, partnerin tonë jo vetëm në Ballkan, por edhe partnerin tonë edhe në BE. Kështu që shpresoj shumë që vendosja e bustit të kryeministrit Mitsotakis në Derviçan, çka e kam premtuar atëherë dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem nga ai premtim pse ka sot një keqkuptim, të jetë një tjetër arsye për t’u kuptuar mirë me njëri-tjetrin, që në Tiranë, në këtë zyrë, Greqia ka një mik, një mik të vërtetë, një mik të sinqertë” – shtoi Rama.