Vendosni fjalën kyçe....

“Nga dhunimi i Kodit zgjedhor, te shantazhi e blerja”-Berisha tregon arsyet pse humbi në zgjedhjet e 14 majit


Kryetari i PD-së të Rithemelimit, Sali Berisha tregoi në emisionin “Çim Peka Live” arsyet pse zgjedhjet e 14 Majit nuk janë parë kurrë në këto 32 vite.

Lideri i opozitës tha se qeveria dhunoi Kodin Zgjedhor, shantazhoi qytetarët në këmbim të votës, u luftua opozita me të gjitha mënyrat deri te komisionerët, blerja e votës apo dhe përdorimi i aseteve të shtetit në fushatën elektorale. 

“Nëse në 2021 deklarova se zgjedhjet ishin të atilla sa vota u ekzekutua pa hyrë në kuti, kërkoj mirëkuptimin dhe vëmendjen e atyre që na ndjekin dhe miratimin tuaj, të paraqes disa problematika të këtyre zgjedhjeve të para kurrë më parë në 32 vite. Ku ndryshojnë këto zgjedhje nga ato politike të 2021? Në këto zgjedhje, për herë të parë në 32 vite, kreu i ekzekutivit shqiptar deklaron se Kodi Zgjedhor për atë ishte një kinezëri e partive. Kjo nënkupton që ai nuk do të respektonte asnjë nen, asnjë parim të atij kodi i cili mishëron standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta. Së dyti, në prag të fushatës elektorale, për herë të parë në 32 vite një kryeministër fton në banket të gjithë shefat e komisariateve të 61 bashkive për t’u thënë shqiptarëve se këta janë pronë e PS.

Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Së treti, në këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë në 32 vite opozitës i caktohet kryetari nga qeveria dhe nuk e zgjedh vetë. Kësaj i thonë “hajde në ring të ndeshemi, por të mbyll derën e ringut dhe unë vetëm në ring për të mos u ndeshur”. Në këto zgjedhje për herë të parë që nga 31 marsi 1991, opozitës më të madhe të vendit nuk i jepet një qindarkë nga fondet publike për zgjedhje. Në këto zgjedhje për herë të parë në historinë e pluralizmit në Shqipëri dhe Europë, pasi kodi zgjedhor shpallet kinezëri, dërgohet zarfi me 5 mijë lekë për 683 mijë pensionistë në kundërshtim me ccdo lloj parimi akt-blerje e hapur e votës ose ndikim në votim. Bonus për votën. Në këto zgjedhje për herë të parë në 32 vite jo vetëm bëhet fushatë me rritje rrogash por u rriten rrogat disa kategorive në mes të fushatës elektorale. Nuk ka ndodhur kurrë. Arrestohet dy ditë para votimit me akuza false kandidati i opozitës në Himarë. Nuk janë arrestuar ndonjëherë në 32 vite.

Për herë të parë pas 22 vitesh, në këto zgjedhje përdoret skema e përjashtimit nga votimi të qindra mijëra zgjedhësve nëpërmjet ndryshimit në shkelje flagrante të ligjit pa asnjë njoftim paraprak të qendrës së votimit të 1.3 mln zgjedhësve. Komisionet zgjedhore ishin 6:1 dhe 7:0 në favor të qeverisë. Të gjitha këto, dy prej tyre të rishfaqura pas 22 vitesh, 7 të tjera të papara kurrë në një fushatë elektorale.

Dhunime flagrante të procesit zgjedhor, vendime të hapura për të blerë votën, as në vitin 91 administrata e regjimit të Ramiz Alisë nuk ka patur një agresivitet në këto zgjedhje, si të ishte polici politike. Në këto zgjedhje, për rrjedhojë u përdor më shumë se kurrë ndonjëherë në maksimunin e tyre të gjitha kapacitetet e shtetit si një makineri elektorale.

Administrata u shndërrua në makineri terroriste ndaj zgjedhësve. Aktivistë patronazhistë duke kërcënuar me mijëra zgjedhës se do të pësosh këtë e atë, duke kërcënuar me jetë se të bëj copë, o votën o kokën. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë nga administrata një kërcënim të tillë. Një terror i paimagjinueshëm ndaj bizneseve nga Balluku dhe të gjithë “ballukët” e tjerë të qeverisë. Një gjobitje masive në funksion të fushatës. Dhjetëra, qindra e mijëra lokale u prenotuan nga aktivitët dhe patronazhistët, të gjitha të paguara me detyrim nga biznesmenët”-deklaroi Berisha