Vendosni fjalën kyçe....

Lëvizja Bashkë mban protestën kundër ndërtimit të kullës


 

Ashtu siç pati paralajmëruar, Lëvizja Bashkë mbajti sërish protestën kundër kullës që ka nisur të ndërtohet prapa Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërkohë që vazhdon jehona për lidhjet e Foltores me ndërtimin e kësaj godine.

Nën sloganin ’Larg duart nga parku’, shumë qytetarë iu bashkuan kësaj proteste, të cilët u shprehen se SPAK duhet ta hetojë këtë aferë dhe se kulla është simbol i parasë së dyshimtë.

“Është e mira ta ndalojmë, pa zërin tuaj asgjë nuk arrihet”, tha një qytetar që mori fjalën.

Ndërkohë Partia Demokratike depozitoi sot në SPAK dosjen për kullën “Mali i Tiranës”. Padia u dorëzua nga kryetarja e grupit të këshilltarëve të PD-së në këshillin bashkiak të Tiranës. Më herët, Basha hodhi dyshimin se përfitues të kullës, janë edhe anëtarë të Rithemelimit, duke thënë se kasta 33-vjeçare e politikës është bashkë.

Ditën e djeshme, Berisha tentoi të shuante zërat për “shitjen” e opozitës te kulla, duke mos e cilësuar shumë të rëndësishme atë që për shqiptarët është shqetësimi i momentit, kthimin e lulishtes në shesh ndërtimi.

Kundër qëndrimit të Berishës, doli edhe ish bashkëpunëtorja e tij, Evi Kokalari, e cila i quan faktet e padiskutueshme për përfshirjen e kreut të foltores me ortakët e tij biznesmenë në ndërtimin e kullës. Sipas saj ky projekt shumë i madh është bërë në kurriz të demokratëve, duke shitur jo vetëm zgjedhjet e 14 majit, por edhe të vitit 2025.