Vendosni fjalën kyçe....

AZHBR çoi fondet për ferma e bujqësi për bujtina ne bregdet


Rreth 40 ekspertë pritet të vijnë në Shqipëri për të verifikuar destinacionin e fondeve të programit IPARD.

Brukseli njoftoi pak ditë më parë Shqipërinë për ndërprerjen e këtyre fondeve, pas një raporti të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF, institucion që heton dyshimet për abuzime me fondet e Bashkimit Europian.

Hetimet trevjeçare të OLAF nxitën Komisionin Evropian që të pezullonte në mesin e korrikut programin më të rëndësishëm të ndihmës për bujqësinë në Shqipëri, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

“Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj,” shkruhet në letrën e Komisionit Europian për qeverinë shqiptare.

DITA mësoi se dy nga projektet më problematike i përkasin rivierës shqiptare konkretisht në Dhërmi dhe Ksamil.

Në rastin e Dhërmiut, fondet që në letra rezultojnë për bujqësinë kanë shkuar për ndërtime vilash private. Në krye të këtij mashtrimi të hetuar nga OLAF janë dy biznesmenë të njohur. Të përfshirë janë dhe dy analistë të medias, që kanë përfituar vila në zonë.

Një tjetër projekt me devijime të rënda është zhvilluar në Ksamil, nga dy shtetas të huaj.

Në qershor 2020, OLAF angazhoi edhe prokurorinë e posaçme, përmes një informacioni dhe kërkese për hetim të fondeve të IPARD II.

Çështja u regjistrua fillimisht në SPAK dhe hetimet u ndoqën nga prokurori Klodian Braho. Por dy vjet pas regjistrimit të procedimit penal, SPAK shpalli moskompetencën.

Ndërkohë Oligarkia.al raportoi sot edhe biznesin ku kanë shkuar këto para që sipas regjistrimit në QKB rezulton se subjekti ka si objet aktiviteti zhvillimin në turizëm, bar restorant, hoteleri dhe dhënie me qira të pasurive të paluajtshme ndryshe nga sa ka qenë objektivi në dokumentet e AZHBR-së. 

“Ndërtimi i bujtinave në foto është financuar me 200 mijë euro nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Vendodhja është në Dhërmi, ndërsa kompania përfituese e grantit quhet Coast to Coast.

E themeluar në vitin 2009 nga Florenc Gjikuria dhe Jorgji Ruci, Coast to Coast ka ndërruar disa herë ortakë që nga ajo kohë. Madje në një moment, aksioner i saj ka qenë dhe Besnik Dervishi, ish zyrtar i lartë i maxhorancës, aktualisht në postin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Aktualisht kompania zotërohet në masën 100 për qind nga Xheni Gjikuria dhe ka si objekt aktiviteti “Zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme në fushën e turizmit, bar- restorant, hoteleri, dhënie me qira e transaksione të tjera mbi pasuri të paluajtshme (real estate) etj..”

Në vitin 2019, kompania lançoi një investim me vlerë totale rreth 320 mijë euro me kursin e atëhershëm. Nga këto, AZHBR dhe shteti financuan me grant falas 230 mijë euro.

Objekti i investimit siç përshkruhet në dokumentet e AZHBR është “investime për rikonstruksion dhe mobilim në fushën e turizmit rural.” Ky në foto tregon investimin e realizuar.

Në objektin e aktivitetit, që shoqëria Coast to Coast ka depozituar në Qëndrën Kombëtare të Biznesit nuk gjendet asnjëra prej fjalëve, fermë, bujqësi, serë apo blegtori. Dhe pyetja që shtrohet këtu është; si nxitet bujqësia shqiptare dhe si ndihmohen fermerët përmes këtyre investimeve?

Përgjigjen e di më mirë AZHBR-ja. Megjithatë bëmat me grantet e bujqësisë janë dhe më të mëdha se kaq”-shkruan Oligarkia.al.

Ndërkohë në vitin 2021 AZHBR-ja e ka promovuar investimin me fondet e IPARD-it në televizion publik ku thotë se ja për qëllim rikthimin e identitetit të Dhërmiut.

Në Dhërmi, në një pamje magjepsëse përballë detit Jon janë ngritur me mbështetjen e AZHBR 5 bujtina, duke ofruar kështu struktura akomodimi dhe shërbimi për turistët që nuk duan vetëm të vizitojnë detin, por edhe fshatin. Të 5 banesat kanë në dispozicion 24 shtretër, ndërsa dhomat i janë përshatur arredimit tradicional te zonës me elemente bashkëkohore. Në mbështetje të bujtinave është ndërtuar edhe restoranti, i cili do të ofrojë larmishmërinë e gastronomisë për turistët. Kështu, ngrihet një tjetër magnet turistik që fton vendas e të huaj për të njohur Shqipërinë!“-thuhet në përshkrim.