Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarët e Bashkisë Rrogozhinë rivotojnë për të zgjedhur kryebashkiakun


Në Bashkinë e Rrogozhinës qytetarët u janë drejtuar sërish sot, kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun.

Janë mbi 32 mijë qytetarë me të drejtë vote, të cilët do t’u drejtohen qendrave të votimit nga ora 07:00 deri në 19:00 të mbrëmjes.

Fillimisht pati problematika në 2 qendra votimi, ku n procesi i votimit nisi me vonesë për shkak të komisionerëve që mbërritën vonë.

Në qendrat e votimit do të ketë një kuti votimi dhe zgjedhësit do të votojnë vetëm në një fletë, ndryshe nga 14 maji.

Janë 54 qendra votimi deri më tani, në të cilat, 32 mijë e 826 qytetarë do të votojnë për kryebashkiakun, ku po njësoj si në zgjedhjet vendore, i pari në fletën e votimit do të jetë i renditur kandidati socialist Edison Memolla dhe numrin 2 do ta mbajë Shkëlqim Hoxha.

Shpresat për këtë të fundit janë shtuar, pasi në këto zgjedhje nuk do të votojnë të burgosurit, që në zgjedhjet e fundit vulosën fitoren e Edison Memollës.

Në KQZ ka mbërritur një kërkesë nga burgjet për votimin e 89 të burgosurve që gëzojnë të drejtën e votës në institucionin e burgut “Kosova”, por afatet nuk premtojnë, e për sa kohë nuk ka një vendim nga Bashkia e KZAZ-ja, në burg nuk do të ngrihet një qendër votimi.

Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues, por me ankesë të koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Kolegji Zgjedhor vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet pas një sërë shkeljesh.