Vendosni fjalën kyçe....

Vdiq 9 muaj më parë, dalin hollësitë e vetëvrasjes misterioze të ish-këshilltarit të Bill Clinton e të njohurit të Jeffrey Epstein


Skena e tmerrshme ku një këshilltar i lartë i ish-presidentit amerikan Bill Clinton u gjet i varur në një pemë me një plagë me armë zjarri në gjoks, është zbuluar më në fund nëntë muaj pasi ai vdiq.

Por raporti i policisë për vdekjen misterioze të Mark Middleton ngre më shumë pyetje sesa përgjigje, pasi vendos se ai vdiq nga vetëvrasja, pavarësisht se nuk ka asnjë shenjë të armës që e vrau atë.

Middleton, 59 vjeç, u gjet i vdekur majin e kaluar në Heifer Ranch në Perryville, Arkansas.

Publikimi i kallëzimit u shty pasi anëtarët e familjes së tij ia kërkuan gjykatësit. Ata ishin të shqetësuar se fotot nga skena e tmerrshme do bëheshin publike.

Gjykatësi përfundimisht vendosi që hollësitë mund të publikoheshin, por fotografitë jo.

Raporti, i shkruar nga zëvendësi i Sherifit të Qarkut Perry, Jeremy Lawson, thotë se ai u thirr në fermë nga punëtorja Samantha McElroy, e cila kishte gjetur mjetin e zit ë braktisur ‘BMW’ të Middleton, shkruan Daily Mail.

“Pothuajse menjëherë pasi shkeli në cep të vilës ajo filloi të bërtiste,” shkroi Lawson.

“Me të arritur në pjesën e pasme të vilës, ajo tregoi drejt pjesës së pasme të pronës dhe pyeti nëse ishte një person. Unë mund të shihja atë që në fillim dukej të ishte një burrë i ulur pranë një peme, pasi sytë e mi u fokusuan më mirë, mund të shihja një litar që shkonte nga gjymtyrët e pemës te mashkulli.”

Lawson tha se ishte e qartë se Middleton kishte vdekur.

“Unë munda të shihja se ai kishte një plagë me armë zjarri në gjoks dhe se ai kishte një nyjë të lidhur në një kordon zgjatues që ishte rreth qafës së tij dhe ishte ngjitur në gjymtyrën direkt mbi të.”

Polici tha se nga kontrolli i automjetit të Middleton-it u gjetën tre kuti municionesh dhe një këllëf armësh, por jo armë.

Hollësitë japin një pasqyrë të re për vdekjen e Middleton, burrë i martuar e baba i dy vajzave 18 dhe 20 vjeç, i cili u gjet i vdekur më 7 maj të vitit të kaluar.

Middleton ishte një këshilltar special i Bill Clinton në vitet 1990 dhe hasi Jeffrey Epstein në Shtëpinë e Bardhë në shtatë nga 17 herë që pedofili i ndjerë vizitoi ish-presidentin.

Middleton fluturoi gjithashtu me avionin e Epstein, me nofkën ‘Lolita Express’. Kohët e fundit ai kishte punuar për biznesin HVAC të familjes së tij në Little Rock. Sipas Arkansas Times, familja e Middleton tha se ai vuante nga depresioni.

Regjistrat e vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë të raportuara më parë nga DailyMail.com treguan se ai shfaqet si nënshkruesi autorizues në shtatë nga vizitat e Epstein në Shtëpinë e Bardhë, shumica e të cilave ishin në krahun perëndimor.

Përveç të qenit një asistent special i Presidentit, Middleton ishte gjithashtu asistent i shefit të stafit, Thomas ‘Mack’ McLarty.

Middleton u largua nga Shtëpia e Bardhë në shkurt të vitit 1995. Në vitin 1996, një hetim nga Shtëpia e Bardhë zbuloi se Middleton kishte abuzuar me qasjen e tij për t’u bërë përshtypje klientëve të biznesit.

Middleton i mohoi pretendimet. Një numër ish-bashkëpunëtorësh të Klintonit kanë vdekur gjatë viteve në rrethana të papritura, duke përfshirë zëvendësin e këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Vince Foster.

Vdekja e tij në vitin 1993 u cilësua si vetëvrasje, por shkaktoi një mori teorish konspirative rreth përfshirjes së Clinton-ëve.

Jeffrey Epstein gjithashtu vdiq ndërsa ishte në burg në vitin 2019, vdekje që u cilësua e dyshimtë.

Të tjerët, vdekjet e të cilëve kanë qenë të lidhura me Clinton-ët kanë qenë Seth Rich, punonjësi i Komitetit Kombëtar Demokratik, i cili u vra në vitin 2016 pa u gjetur asnjë fajtor.