Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat e Ahmetajt ndaj Ramës, Basha: Këta operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj ndaj kreut të qeverisë Edi Rama. Nga arratia Ahmetaj akuzoi Ramën se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërteta e inceneratorëve.

Lidhur me këto deklarata Basha shkruan se Rama duhet të japë dorëheqjen, ashtu siç do bënte sipas tij çdo kryeministër tjetër në botë.

Kryedomkrati thotë se PS operon si një bandë kriminale, ndërsa tani kanë filluar të kërcënojnë edhe njëri-tjetrin. Në fund, Basha thotë se kanë vjedhur paratë e shqiptarëve dhe për këtë duhet të japin llogari para drejtësisë.

“Është e qartë se këta operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin. Njëri del në dosje me krimin, tjetri në pazare korrupsioni, tjetri kanabizon Shqipërinë.

Tani e pranojnë vetë dhe të gjithë tregojnë me gisht Edi Ramën. Kudo tjetër kryeministri do të ishte dorëhequr, por në rastin e tij sa më i madh abuzimi aq më e madhe arroganca.

Se çfarë bëjnë me njëri-tjetrin, kokat hëngshin, por çfarë shqetëson shqiptarët është se ata të gjithë bashkë nuk kanë ngrënë kumbulla e dardha, por paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar me pasuritë e tyre. Dhe për këtë duhet të japin llogari para drejtësisë, nga i pari tek i fundit”, shkruan Basha.