Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani arreston 12 persona, dyshohen si trafikantët në rastin e fundosjes së varkës në brigjet greke


Pakistani njoftoi të hënën se ka arrestuar 12 persona të dyshuar si trafikantë për fundosjen javën e kaluar të varkës së emigrantëve në brigjet e Greqisë.

Pakistani ka konfirmuar se vetëm 12 pakistanezë humbën jetën kur një varkë peshkimi, që thuhet se mbante rreth 750 burra, gra dhe fëmijë u përmbys në Mesdhe, pesë ditë pasi u largua nga Libia për në Itali.

Por mediat pakistaneze njoftuan të dielën se rreth 300 pakistanezë kanë humbur jetën në incident.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif e shpalli të hënën ditë zie kombëtare për nder të pakistanezëve që nuk i mbijetuan tragjedisë.

Zyrtarët grekë thanë se 104 persona arritën të shpëtohen nga varka dhe 78 trupa u nxorën nga deti.

Mijëra pakistanezë kryesisht të rinj, që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë, paguajnë kontrabandistët për udhëtimin e tyre nëpër Mesdhe, që shumë shpesh përfundon në tragjedi.