Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada britanike: Mbështesim raportin paraprak të OSBE-së për zgjedhjet e 14 majit, urojmë të zgjedhurit


Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar për rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të 14 majit që kanë prodhuar kryetarë të rinj bashkie dhe rikonfirmime.

Ambasada ka uruar të zgjedhur si dhe ka mbështetur raportin paraprak të Zyrës së OSBE-së.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ndoqi nga afër zgjedhjet vendore të 14 majit. Sot duam të urojmë të gjithë të zgjedhurit për të përfaqësuar qytetarët shqiptarë në nivel vendor, duke mbajtur parasysh se procesi i numërimit është ende në vazhdim në shumë zona.

Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht raportin paraprak të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), i cili u publikua sot.

Ne mirëpresim gjetjet e raportit në lidhje me një proces përgjithësisht të mirëadministruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht disa vështirësive teknike. Mbështesim inkurajimin e raportit për të trajtuar problemet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, pretendimet për shit-blerje votash dhe presionet ndaj punonjësve të sektorit publik dhe jo vetëm për të votuar në një mënyrë të caktuar.

Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike, politikanët dhe institucionet që t’i adresojnë këto shqetësime, përfshirë edhe përmes Komisionit Parlamentar ad-hoc për reformën zgjedhore.

Presim me kënaqësi të bashkëpunojmë ngushtë me kryetarët e sapozgjedhur të bashkive dhe këshillave bashkiakë. Si dhe i inkurajojmë të gjithë të fokusohen në mënyrën se si mund t’iu përgjigjen më së miri nevojave te gjithë qytetarët shqiptarë në lokalitetet e tyre”-thuhet në deklaratën e Ambasadës.