Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur ndaj sulmit që kishte mandat ta parandalonte


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se, është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Ai ka thënë se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Kosovës, është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por “në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it”.

KFOR-i nuk do të duhej të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj një sulmi kidnapues, të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare, që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”.

KFOR-i, ka thënë më 14 qershor se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve në territorin serb.

Kurti ka thënë para deputetëve të Kosovës, se diçka e tillë përbën akt agresioni ndaj Kosovës.

“Akti i këtillë i kësaj policie militare të Serbisë, është në variantin më të mirë, një akt qyqar, e cila pasi kidnapoi tre policë, që kishin mandat të qartë në mbrojtjen e kufirit nga grupet që kontrabandonin mallra përmes rrugëve ilegale, iku me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Kurti ka thënë se zyrtarët policorë që patrullojnë në atë pjesë e kanë detyrë kryesore parandalimin e kontrabandës.

“Këta policë, natyrisht që nuk janë të pajisur për ta mbrojtur kufirin. Jo vetëm se thjesht këtë gjë do të duhej ta bënte ushtria, por për shkak se janë policë, të cilët në një ambient fort armiqësor, e kanë për detyrë parësore – për çfarë edhe kanë trajnime e përvojë – luftimin e kontrabandës”.

Mes tjerash, Kurti ka thënë se arrestimi i zytarëve policorë është shenjë hakmarrjeje nga autoritetet e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Llunes, më 13 qershor në Mitrovicë të Veriut.

Ai dyshohet se ka lidhje me sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut në dhjetorin e kaluar dhe me përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, më 29 maj të këtij viti.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ai është edhe një nga “udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile'”.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave./ REL.