
Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të rifillojnë sulmet ndaj Iranit në rast se nuk arrihet një marrëveshje mes palëve, ka deklaruar Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Duke folur në Singapor, në kuadër të forumit të sigurisë Shangri-La Dialogue, Hegseth tha se SHBA ka kapacitete të mjaftueshme ushtarake për të ndërmarrë sërish veprime ushtarake nëse procesi diplomatik dështon.
“Jemi më se të aftë të rifillojmë nëse është e nevojshme… jemi në një pozicion shumë të mirë,” u shpreh ai, duke shtuar se rezervat e municioneve amerikane janë të mjaftueshme për operacione në shkallë globale.
Sipas Reuters, Hegseth theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk janë tërhequr nga rajoni i Indo-Paqësorit, pavarësisht angazhimit në konfliktin me Iranin, duke nënvizuar se administrata amerikane po forcon industrinë e mbrojtjes për të rritur ndjeshëm prodhimin e municioneve.
Sipas tij, presidenti Donald Trump po kërkon një marrëveshje që garanton që Irani të mos pajiset me armë bërthamore, ndërsa negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë për të tejkaluar mosmarrëveshjet kryesore.
Deklaratat vijnë në një moment kur palët po diskutojnë mundësinë e zgjatjes së një armëpushimi dhe arritjes së një marrëveshjeje më afatgjatë për përfundimin e konfliktit.