Vendosni fjalën kyçe....

Kompania Ryanair do të operojë në aeroportin ‘Nënë Tereza’, Rama: Tregon se kemi marrë një vulë të rëndësishme për imazhin e vendit


Ditën e sotme u inaugurua kati i dytë i aeroportit të Rinasit ku do të operojë kompania e njohur Ryanair.

Në këtë inagurim, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se deri para pak vitesh dukej e pamundur që në Shqipëri të operonte një kompani e tillë e njohur botërisht.

Rama shtoi se ardhja e Ryanair me 18 destninacione nga Tirana nëpër Europë tregon se Shqipëria ka marrë një vulë të rëndësishme përsa i takon imazhit të saj.

Dikush vite më parë më tha se Ryanair nuk është kompani fluturimi por vula që i vihet një vendi kur kthehet në destinacion global. Fakti që Reyanier iu shmanget do të thotë se nuk keni arritur në atë nivel. Ardhja e Ryanair me 18 destninacione nga Tirana nëpër Europë tregon se kemi marrë një vulë të rëndësishme që vjen nga një përpjekje e gjatë për të ndryshuar katërcipërisht jo vetëm imazhin e Shqipërisë por për shumë gjëra që lidhen me krijimin e këtij imazhi”- u shpreh Rama.

Ai shtoi se Aeroporti i Tiranës ka zënë vendin e parë ndër aeroportet e Evropës që ka tejkaluar 10% të rikuperimit duke shënuar mbi 5.2 milionë pasagjerë gjatë vitit të kaluar.

“Jam i bindur se shpejt do lindë nevoja për të tjera hapësira, plus zgjidhja e problemit kronik të parkimeve është në punim. Aeroporti i Tiranës sipas të dhënave të aviacionit europian është i vetmi në Europë që ka tejkaluar 100% e rikuperimit pas pandemisë. Shifra e vitit të shkuar ishte 123% plus pas pandemisë. I dyti ishte ai i Stambollit dhe më pas vinin të tjerët. Në këtë aeroport janë përpunuar 5.2 milionë pasagjerë. Ambicia e kompanisë është për të prekur shifrën e 7 milionëve. Objektivi i vitit 2027 u arrit vjet. Jam i bindur se objektivi për 10 milionë turistë do të jetë për një kohë shumë të shkurtër”- tha kryeministri.

Duke përmendur koncesionin e dhënë shumë vite më parë për aeroportin e Tiranës, që e kthente në aeroportin më të shtrenjtë të Europës, Rama theksoi tha se tashmë situata është krejt ndryshe dhe se vendi është çliruar nga koncesioni që vendoste shtetin nën kushte të vështira. 

Aeroporti i Tiranës është një kompani suksesi. Pas vitesh të tëra nën thundrën e një koncesioni të tmerrshëm të bërë për kushtet në të cilat e vinte shtetin dhe pasagjerët. Për shkak të atij koncesioni ishim aeroporti më i shtrenjtë i Europës. Sot kjo situatë është përmbysur katërcipërisht, por jo vetëm sepse ne kemi bërë çlirimin e aeroportit nga thundra e atij koncesioni por se kompania shqiptare që u paragjykua sot faktet flasin se jemi në kushtet e një historie krejt tjetër”-nënvizoi ai.

Kompania Ryanair i bashkohet flotës që operon në aeroportin e Rinasit me 18 destinacione, nga të cilat 9 prej tyre janë të reja për Shqipërinë.