Vendosni fjalën kyçe....

I ra telefoni duke bërë selfie, zyrtari indian zbraz rezervuarin e ujit


Një zyrtar i qeverisë indiane është pezulluar pasi urdhëroi zbrazjen e një rezervuari në mënyrë që të mund të merrte telefonin e tij, që i ra duke bërë selfie.

Në momentin që telefoni u mor, burri kishte kulluar ujë të mjaftueshëm për të vaditur 600 hektarë tokë bujqësore.

Rajesh Vishwas u pezullua të premten pasi eprorët e tij arritën në përfundimin se ai nuk kishte autoritet për të kulluar rezervuarin, raportoi transmetuesi NDTV i Indisë.

Vishwas ishte duke u larë në digën Kherkatta në shtetin e Chhattisgarh të dielën, kur i ra poshtë celulari Samsung Galaxy S23 ndërsa përpiqej të bënte një selfie.

Telefoni u zhyt në rezervuarin katër metra të thellë të digës dhe Vish mblodhi shpejt disa banorë vendas për ta nxjerrë. Kur kjo përpjekje dështoi, inspektori 32-vjeçar i ushqimit mori dy pompa uji dhe zbrazi 2.1 milion litra ujë nga rezervuari gjatë tre ditëve dhe u ndal vetëm kur ngjarja u raportua te eprorët.

Në kohën kur pompat u mbyllën, niveli i ujit në rezervuar ishte ulur pothuajse përgjysmë, dhe Vishwas ishte në gjendje të merrte celularin, që gjithsesi ishte prishur.

Ai protestoi kundër pezullimit, duke argumentuar se departamenti lokal i burimeve ujore i kishte dhënë leje për të kulluar pellgun. Megjithatë, një zyrtar i departamentit i tha mediave lokale se Vishwas-it iu lejua të kullonte më pak se dy metra ujë, por e kishte tejkaluar këtë shenjë.

“Ai është pezulluar deri në një hetim. Uji është një burim thelbësor dhe nuk mund të shpenzohet kështu”, tha zyrtarja lokale Priyanka Shukla për gazetën National.