Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet sërish seanca gjyqësore e padisë së Veliajt kundër gazetarit Koka


Është shtyrë sërish seanca gjyqësore e padisë për shpifje e depozituar nga Erion Veliaj kundrejt gazetarit Bledian Koka pas intervistës në emisionin “Piranjat” në Syri Tv me italianin Gabriele Tarroni Longinotti.

Gazetari Koka shpjegoi se pse u shty për të dytën herë seanca në Gjykatën e Tiranës.

Koka tha se për shkak të mosnjoftimit prej mungesës së adresës së shtetasit italian.  

“Edhe sot u konfirmua, që nuk është asgjë tjetër kjo seancë, përveç se dëshira e Erion Veliajt për të më intimiduar mua, emisionin investigativ dhe për të refuzuar përgjigjen për pyetjet që ne i kemi drejtuar publikisht jo nga unë, jo nga emisioni, por nga një person që pretendon se e njeh Erion Veliajn, që e ka takuar Erion Veliajn dhe e ka parë në disa raporte që Erion Veliaj si zyrtar publik, të paktën deri në 14 maj, ai duhet të japë llogari publike.

Dhe në vend që ne të kemi këto përgjigje publike, siç do duhej që në një vend normal ku njerëzit me poste publike japin përgjigje për pretendimet që ngrihen, në vend të kësaj, ne jemi dëshmitarë se si kemi marrë në këmbim një padi për shpifje, e cila është e pabazuar në fakte dhe prova. Kjo duhet ta gjykojë drejtësia dhe shpresoj të funksionojë e tillë deri në fund.

Sot ishte një seanca, e cila u shty për të dytën herë, përfaqësuesit ligjorë të Veliajt nuk tërhiqen dhe duket se duan ta mbajnë presionin të paktën deri në 14 maj, ku të duket se Veliaj është i pafajshëm dhe fajtorë jemi ne që kryejmë detyrën.

Seanca e sotme u shty për shkak të mosnjoftimit prej mungesës së adresës së njërit prej të akuzuarve, konkretisht shtetasit Italian. Mendoj se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në seancën e radhës, e cila është lënë në datë 22 maj pasi Veliaj ka vendosur si adresë të tij zyrën e Bashkisë Tiranë. Erion Veliaj mund të mos jetë më në zyrë pas 14 majit.

Veliaj duhet të shënojë një adresë të re sepse në të kundërt padia është e pavlefshme”-deklaroi Koka.