Vendosni fjalën kyçe....

Debate në seancën në Gjykatën Kushtetuese, Bardhi përplaset me përfaqësuesen e qeverisë Elira Kokona


Deputeti i PD-së Gazment Bardhi ka debatuar me përfaqësuesen e qeverisë Elira Kokona në seancën në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ankimimin e selisë blu ndaj VKM-së për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas Bardhi, vendimi i qeverisë favorizon një grup të caktuar oligarkësh ndërsa Kokona tha se dalja e pronave të konfiskuara në ankand nuk përjashtohet nga VKM-ja.

Bardhi theksoi se PD-ja kërkon që nga dalja në ankand e pronave të bllokuara, shteti të përfitojë sa më shumë para.

Pjesë nga debati

Bardhi: Ne nuk jemi kundër parave që i shkojnë buxhetit të shtetit. Konstatimi është i pasaktë. Nuk ka kundërshti nga ana jonë për konfiskimin. Kundërshtimi ynë është që kur ligji urdhëron konfiskimin, do të thotë që kjo pasuri kalon në pronësi të buxhetit të shtetit. Dhe shteti për të sjellë më shumë para në buxhetin e shtetit këtë pasuri në pronësi të tij, e nxjerr në ankand dhe jep më shumë para për buxhetin e shtetit. Ne jemi që buxheti i shtetit të marrë më shumë para. Nuk jemi kundër parave që vijnë në buxhetin e shtetit. Ky ka qenë konstatimi që kemi bërë në kërkesë. Nuk e di ku është lexuar apo si është lexuar. Qëllimi jonë ka qenë që një pasuri të konfiskohet dhe të nxirret në ankand. Jemi pro shtimit të parave në buxhetin e shtetit.

Kokona: Ka një mospërputhje nëse kjo VKM i referohet një grupi më të gjerë personash. Kjo VKM ka natyrën e saj juridike, nuk e ka as kolektive, as individuale. Pyetja që kam është a keni ndryshim të qëndrimit? I referoheni një grupi të caktuar personash apo jo?

Bardhi: Janë një grup oligarkësh, që përfitojnë nga legalizimi i pasurive të tyre të paligjshme.

Kryetarja e gjykatës Zaçaj: Ju tërheq vëmendjen që debatin ta mbajmë te çështjet ligjore.

Bardhi: Unë nuk përdora asnjë fjalë fyese. Besoj kolegia nuk u fye. Përdora një term, nuk e di pse u shqetësuat ju nga përdorimi i kësaj fjale. I thashë përfiton një kategori e caktuar individës që njihen si oligarkia. Nëse unë duhet të përgjigjem me kod të caktuar, atëherë pastaj këtu jemi në censurë. Iu drejtova me shumë respekt. Nga kjo kategori përfundon një kategori e caktuar oligarkësh. Nuk janë individualisht të përcaktueshëm. Edhe ligji për planifikimin e terrutorit prek ndërtuesit e paligjshëm, prek një grup të caktuar njerëzish.

Kokona: Pyetja ime është, në cilën pjesë të VKM-së përjashtohet ankandi?

Avokati i PD-së Logu: I jep subjektit zhvillues që i është konfiskuar ndërtimi të drejtën e parablerjes që shpreh dëshirën për të vlerë objektin. Nëse shfrytëzohet e drejta e parablerjes, ndiqet procedura e zakonshme.

Bardhi: Ky vendim është miratuar pas një denoncim nga mua për një ndërtues që kishte ndërtuar 5 kate pa leje në qendër. Menjëherë për t’i dhënë zgjidhje. Edhe pasi dështoi kjo procedurë doli një VKM tjetër. Ky është konteksti mbi të cilën është miratuar kjo VKM.

*Citimet marrë nga Shqiptarja