Vendosni fjalën kyçe....

Kurti ‘shmang’ PD-në gjatë vizitës në Tiranë: Metën e takova si ish-president


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbërriti sot në Tiranë ku u takua me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryetaren e Kuvendit Nikolla e kreun e Partisë së Lirisë Meta.

Gjatë vizitës së tij ranë sy mungesa e një takimi me përfaqësues të PD-së, Grupin e Rithemelimit të Berishës apo atë të Alibeajt. Kurti tha se Metën e takoi si ish-president të Shqipërisë e jo në cilësinë e kreut të partisë së Lirisë.

“Kam takuar krerët e tri institucioneve shtetërore dhe ish presidentin Meta dhe kam konsideruar se është e nevojshme dhe atë ndonëse nuk është më President. E di që Tirana dhe gjitha Shqipëria janë në ethet e fushatës dhe përfitoj nga rasti t’i uroj një proces zgjedhor sa më demokratik.” – tha Kurti.

Ai tha se erdhi në Tiranë për të njoftuar krerët e shtetit me hollësitë e bisedimeve me Serbinë si dhe elementët përbërës të marrëveshjes. Kurti theksoi se kërkoi që Shqipëria të mbështesë Kosovën në forumet ndërkombëtare dhe ta ndihmojë në anëtarësimin në to.

Dëshirova t’i njoftoj nga afër dhe me hollësinë procesin e dialogut por gjithashtu edhe me elementët përbërës të marrëveshjes. Shqipëria është shumë më pranë Kosovës dhe kjo duket edhe në marrëdhëniet mes nesh dhe përfaqësimin e kësaj të fundit në organizmat e arenës ndërkombëtare. Kërkojmë nga Shqipëria mbështetje në forumet ndërkombëtare për Kosovën. Duhet mbrojtur, sovraniteti, pavarësia dhe integriteti ndërkombëtar. Por edhe të na ndihmojë për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare. Një situatë komplekse për dialogun Kosovë-Serbi të shihet me kujdes nga Shqipëria. Kjo marrëveshje është njohje de facto e ndërsjellët dhe gjithashtu ua shpjegova se neni 7 i cili flet për vete menaxhimin e komunitetit serb në fakt korrespondon te marrëveshja kornizë për të mbrojtur pakicat kombëtare.” – shtoi Kurti.