Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehet Rudina Hajdari në PD: Kam ardhur vetëm për të gjetur zgjidhjet e krizës


Ish-deputetja e Partisë Demokratike e cila në zgjedhjet e vitit të kaluar kandidoi për Nismën Thurje dhe pas humbjes u largua nga skena politike dhe publike është rikthyer sërish duke kërkuar angazhimin me partinë që u bë deputete për një legjislaturë.

Rudina Hajdari së fundmi në një intervistë për Klan News tha se është rikthyer në Partinë Demokratike ku njoftoi se është takuar me persona në nivele më të larta si dhe drejtues të degëve të PD-së.

Rikthehem në gjirin e Partisë Demokratike, duke u takuar me nivelet më të larta të degëve të PD-së të gjithë strukturës së anëtarësisë, me njerëz intelektualë, me njerëz që kanë kontribuar gjatë kësaj periudhe me një opozitë të shëndetshme”-tha Hajdari.

Ish-deputetja mbështet ndryshimet e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe thotë se i jep më shumë peshë anëtarësisë.

“Ndryshimet që kanë ndodhur në statut, në kongresin e 11 Dhjetorit, shikoj që pesha më e madhe i jepet anëtarësisë, kështu që risitë që sjell ky lloj statuti i ri do japin ndryshim rrënjësore për PD, që mos përsëriten më gabimet e së kaluarës. Ky statut i jep më shumë peshë anëtarësisë, dhe i dobëson rolin kryetarit të partisë. Këto lloj ndryshime që ka miratuar gjykata janë ndryshime të shëndetshme”-deklaroi Hajdari.

Në fund Hajdari thekson se ka ardhur sërish në Shqipëri për të gjetur zgjidhje për krizën në PD.

“Kam ardhur vetëm për të gjetur zgjidhjet e krizës, por në momentin që do hidhet ky hap do të jemi këtu e do ta diskutojmë sërish”-theksoi ish-deputetja e PD-së.

Hajdari ishte deputetja e PD-së që nuk dorëzoi mandatin në vitin 2019 duke qëndruar në Parlament, vendim i cili bëri që kryesia e atëhershme ta përjashtonte nga partia. Më pas Hajdari kandidoi në zgjedhjet e 25 prillit 2021 me logon e Nismës Thurje në qarkun e Elbasanit duke mos arritur të mbledhë votat e nevojshme për tu zgjedhur deputete.