Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi në Kuvendin e PD: Demokratët zgjodhën qëndresën dhe dinjitetin



Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku ka theksuar se demokratët kanë zgjedhur qëndresën dhe dinjitetin përballë sfidave politike dhe, sipas saj, një pushteti që beson se gjithçka mund të blihet.

Vokshi u shpreh se, pavarësisht goditjeve dhe presioneve, opozita nuk është dorëzuar, por ka vijuar rrugëtimin e saj politik duke ruajtur kohezionin e brendshëm dhe duke synuar forcimin e partisë. Ajo pranoi se brenda radhëve të PD-së kanë ekzistuar edhe pakënaqësi dhe tensione, por sipas saj këto janë menaxhuar në funksion të bashkimit.

Deputetja demokrate theksoi se Partia Demokratike duhet të funksionojë si një strukturë e bashkuar dhe jo si një bashkim interesash individuale apo grupesh të ndara, duke e cilësuar partinë si një “familje politike” që duhet të gjejë forcën te uniteti i saj.

Në fjalën e saj, Vokshi tha gjithashtu se politika në opozitë është një formë shërbimi dhe sakrifice, jo privilegj, ndërsa shtoi se ripërtëritja e PD-së lidhet me rikthimin e vlerave themelore si qëndresa, guximi, dinjiteti dhe solidariteti.