Vendosni fjalën kyçe....

Vatikani kthen pjesët e Partenonit në Athinë


Vatikani ka kthyer në Greqi tre fragmente të Partenonit nga koleksioni i Papës. Reliket e riatdhesuara, që përfaqësojnë kokat e gdhendura të një djali, një kali dhe një burri me mjekër, u zbuluan në një ceremoni në Muzeun e Akropolit në Athinë të premten.

Skulpturat mbaheshin më parë në muzetë në Vatikan. Vendimi për të dhuruar artefaktet u njoftua në dhjetor. Kardinali i Selisë së Shenjtë Fernando Vérgez tha se gjesti kishte për qëllim ‘të ndërtonte ura vëllazërimi’, duke shtuar se ‘koleksioni i artit të Papës duhet të bëhet një pikë e rëndësishme kontakti midis popujve, besimeve dhe kishave’.

Kryepeshkopi i krishterë ortodoks i Greqisë, Ieronymos II, e quajti transferimin një akt me ‘rëndësi historike dhe që ka një ndikim pozitiv në nivele të shumëfishta’, në komentet për gazetarët në Muzeun e Akropolis të premten.

Ai shtoi se shpreson që të tjerët ta marrin parasysh shembullin. Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, i bëri jehonë mendimit, duke thënë se ‘nisma si këto tregojnë rrugën që ne mund të ndjekim  në mënyrë që uniteti i Partenonit të rivendoset’.

Një monument me famë botërore dhe një simbol i qëndrueshëm i Greqisë së Lashtë, Partenoni u dëmtua rëndë në shekullin e 17-të. Në shekullin e 19-të, diplomati britanik Lord Elgin mori një sërë pjesësh të statujave të mbijetuara në Britani, ku ato tani janë ekspozuar në Muzeun Britanik. Pavarësisht peticioneve nga Athina, Londra ka kundërshtuar të kthejë artefaktet.