Vendosni fjalën kyçe....

“Unë Lulzim Basha me funksion kryetar i PD-së autorizoj…” – Grupi i Alibeajt dorëzon në KQZ kërkesën për zgjedhjet e 14 majit


Ashtu siç kishte paralajmëruar të premten, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së, grupi i Alibeajt ka çuar në KQZ juristët për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.

Kërkesa është depozituar nga përfaqësuesi ligjor Indrit Sefa, i cili në fjalën e tij për mediat tha se ajo ishte njësoj si e partive të tjera.

Mes dokumenteve të dorëzuara nga Sefa është edhe një dokument, sipas të cilit Basha është kryetar i PD-së, bazuar në një vërtetim të marrë nga gjykata e Tiranës më 1 mars 2023.

Po kështu mes dokumenteve është edhe një autorizim i lëshuar nga Lulzim Basha, që autorizon Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin dhe Indrit Sefën për procedurat e zgjedhjeve të 14 majit.

Sot është dita e fundit e afatit për regjistrimin e partive në KQZ për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Të njëjtën lëvizje bëri dje grupi i Rithemelimit  i Berishës, që dorëzoi mbrëmjen e djeshme kërkesën e dokumentet për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.

Ndërkohë më herët, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, u vendos që kandidatët e ‘Rithemelimit’ do garojnë në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e koalicionit Shtëpia e Lirisë, njësoj si në zgjedhjet e pjeshme të 6 marst 2022.

Po kështu Berisha tha se Basha e Alibeaj nuk kanë më vend në PD si bashkëpunëtorë të Edi Ramës si dhe u quajti kandidatët e paraqitur nga Alibeaj si kandidatë të kryeministrit.