Vendosni fjalën kyçe....

17 Maji – Postimi i 5 viteve më parë kur Berisha mbështeste paktin Rama-Basha


Shumë po shkruhet sot për “17 Majin” e vitit 2017, dita kur u bë marrëveshja e famshme Rama-Basha për zgjedhjet parlamentare.

Një marrëveshje detajet e së cilës nuk janë mësuar kurrë, por ngjarjet që pasuan dëshmuan se i vetmi i fituar këtu doli kryeministri Edi Rama.

Dhe ndërkohë që pakti i famshëm edhe 5 vite më pas po e përndjek ish-kreun e PD-së Lulzim Basha, një nga nga personat që e ka mbështetur fort këtë pakt ka qenë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, pavarësisht se sot shpreh rezerva dhe kritika.

Ai e ka akuzuar vazhdimisht Bashën se në gati tetë vite, ajo që ka bërë si drejtues i PD-së është dështimi i çdo kauze, tradhtia ndaj demokratëve dhe vrasja e votës së lirë.

Por çfarë shkruante Berisha për paktin famëkeq më 18 Maj në 2018-ën? Ai shprehej se nga pakti Rama-Basha, fitonte i gjithë vendi.

“Kështu që pa u ndalur në një analizë të hollësishme, e them me bindje të plotë se me këtë marrëveshje ka fituar Shqipëria dhe se për të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirisë, marrëveshja është një win-win story.”- shprehej Berisha, i cili sot nuk e konsideron më atë marrëveshje një “win-win story”.

Vetë Berisha deklaroi pak muaj më parë kur nisi takimet e “Foltores” pasi filloi përplasja e tij me Bashën se ajo marrëveshje shënoi asgjësimin e opozitës.

“E vërteta është që ajo marrëveshje shënon asgjësimin e opozitës.”– shprehej Berisha duke shtuar se “…u ëmbëltua ky me marrjen peng”.

KOMENTI I PLOTË I BERISHËS

Një marrëveshje nga e cila fiton vendi!

Të dashur miq, drejtuesit e dy partive kryesore të vendit firmosën sot një marrëveshje, me të cilën i dhanë zgjidhje njerës prej krizave politike më të rrezikshme të këtyre 26 viteve të fundit, që prej disa muajsh kishte rrokur vendin.

Në këtë kontekst, mendoj se çdo shqiptar duhet të ndjehet vërtet i lehtësuar për zgjidhjen me mjete politike të kësaj krize që kërcënonte në mënyrën më serioze ekzistencën e pluralizmit politik në Shqipëri, themelet kushtetuese të shtetit demokratik, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit.

Kështu që pa u ndalur në një analizë të hollësishme, e them me bindje të plotë se me këtë marrëveshje ka fituar Shqipëria dhe se për të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirisë, marrëveshja është një win-win story.

Me këtë rast të dashur miq, le të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë ndaj miqve tanë të respektuar europianë dhe amerikanë për ndihmën e tyre tejet të çmuar që dhanë në arritjen e kësaj marrëveshje si dhe ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që vendosën sakrificën e tyre në themel të saj si dhe ndaj të gjithë atyre, që me angazhimin serioz bënë të mundur këtë marrëveshje të një rëndësie historike për Shqipërinë!