
Procesi i numërimit të votave të ardhura me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë një epërsi të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas të dhënave më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të 80 kutive të votave me postë, Vetëvendosje ka siguruar 20 mijë e 693 vota, ose 69.67 për qind të totalit të votave të numëruara deri më tani, shkruan RTK.
Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 4 mijë e 506 vota, që përbëjnë 15.17 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 2 mijë e 369 vota, ose 7.98 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pozicionohet e katërta me 1 mijë e 585 vota, përkatësisht 5.34 për qind.
Numërimi i votave me postë pritet të vazhdojë edhe gjatë orëve në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare do të publikohen nga KQZ pas përmbylljes së të gjithë procesit të verifikimit dhe numërimit.