Vendosni fjalën kyçe....

Balla e akuzoi si të dënuar për masakrën e Peshkëpisë, Beleri e padit për shpifje


Kandidati për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri ka depozituar një padi për shpifje ndaj Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Beleri thotë se ka paditur Ballën për akuzën që bëri ky i fundit duke e quajtur të turpshme kandidimin e tij duke qenë i dënuar për masakrën e Peshkëpisë.

Beleri reagoi duke thënë se gjykata e Krimeve të Rënda e kishte shpallur atë të pafajshëm për masakrën e Peshkëpisë.

“Edhe pse e paralajmërova zotin Taulant Balla se ai do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë për deklaratat e tij shpifëse dhe të rreme ndaj meje, ai vazhdoi të mbështesë shpifjet e tij. Sot kam ngritur dhe depozituar padi. Me anë të së cilës kam kërkuar  dëmshpërblim prej 1.000.000 lekësh të cilat do t’ia dhuroj të gjithë shumën “Shtëpisë së Foshnjës Vlorë”- deklaron Beleri.

Beleri është kandidat për Bashkinë e Himarës në sajë të marrëveshjes së 25 janarit me Partinë Demokratike të Sali Berishës në të cilën u vendosën që përveç Himarës dhe Dropulli e Finiqi të kenë kandidatë nga PBDNJ.