Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria kineze vihet në ‘gatishmëri të lartë’ – Media shtetërore


Fluturimi i fundit i një aeroplani luftarak amerikan përmes ngushticës së Tajvanit është një kërcënim për stabilitetin e rajonit, tha një zëdhënës i ushtrisë kineze, cituar nga China Daily të hënën.

Aeroplani i patrullimit dhe zbulimit antinëndetëse ‘P-8A Poseidon’ fluturoi të hënën përmes ngushticës që ndan Kinën kontinentale dhe ishullin e Tajvanit.

Një ‘Su-27’ kinez u ngrit dhe mbikëqyri avionin amerikan përgjatë rrugës së tij, tha media. Koloneli Shi Yi, zëdhënës i degës lindore të ushtrisë kineze, tha se kjo manovër ‘dëmtoi qëllimisht gjendjen rajonale dhe rrezikoi paqen dhe stabilitetin’.

Ai shtoi se ushtria kineze ishte ‘në gatishmëri të lartë për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial’.

Forcat amerikane në rajon e pranuan manovrën.

“Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të fluturojnë, lundrojnë dhe operojnë kudo ku ligji ndërkombëtar e lejon, duke përfshirë edhe ngushticën e Tajvanit,” tha Komanda e 7-të e Flotës në një deklaratë.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Tajvanit konfirmoi se ata dinin për fluturimin e ‘P-8A’ në një deklaratë të shkurtër zyrtare në të njëjtën ditë, duke e quajtur gjendjen ‘normale’.