Vendosni fjalën kyçe....

Kina mund t’i japë Rusisë armë për luftën në Ukrainë, paralajmëron Anthony Blinken


Kina po konsideron t’i japë Rusisë armë dhe municione për luftën në Ukrainë, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, sipas BBC.

Blinken tha se ky përshkallëzim do të nënkuptonte “pasoja të rënda” për Kinën.

Kina ka mohuar raportet se Moska ka kërkuar pajisje ushtarake.

Presidenti kinez Xi Jinping është një aleat i presidentit rus Vladimir Putin dhe ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë – por ai ka kërkuar të mbetet neutral në konflikt dhe ka bërë thirrje për paqe.

Blinken po fliste për CBS pasi u takua me kryediplomatin kinez, Wang Yi, të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ai tha se gjatë takimit ai shprehu “shqetësime të thella” për “mundësinë që Kina të sigurojë mbështetje materiale vdekjeprurëse për Rusinë”.

“Deri më sot, ne kemi parë kompani kineze… të ofrojnë mbështetje jo vdekjeprurëse për Rusinë për përdorim në Ukrainë. Shqetësimi që kemi tani bazohet në informacionin që kemi se ata po shqyrtojnë ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse,” tha ai.

Ai nuk shtjelloi se çfarë informacioni kishte marrë SHBA në lidhje me planet e mundshme të Kinës. Kur u vu nën presion mbi atë që SHBA besonte se Kina mund t’i jepte Rusisë, ai tha se do të ishin kryesisht armë si dhe municione.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar një kompani kineze që dyshohet se i ka ofruar imazhe satelitore të Ukrainës grupit mercenar Wagner, i cili furnizon Rusinë me mijëra luftëtarë.

  1. Blinken i tha CBS se “natyrisht, në Kinë, nuk ka asnjë dallim midis kompanive private dhe shtetit”.

Nëse Kina do t’i siguronte Rusisë armë, kjo do të shkaktonte një “problem serioz për ne dhe në marrëdhëniet tona“, shtoi ai.