Vendosni fjalën kyçe....

Kina miraton ligjin e diskutueshëm të sigurisë për Hong Kongun


Kina ka miratuar një ligj të sigurisë kombëtare për Hong Kongun, i cili sipas BBC-së do i japë asaj fuqi mbi Hong Kong-un.

Muajin e kaluar Kina tronditi qytetin duke deklaruar se do të kriminalizonte çdo veprim për shkëputjen nga shteti, terrorizmin ose bashkëpunimin me forcat e huaja.

Kjo masë erdhi pas protestave pro demokracisë të vitit të kaluar. Kritikët thonë se ky ligj i ri paraqet një kërcënim edhe më të madh për identitetin e Hong Kongut dhe do të minojë të drejtat e njeriut në rajonin gjysëm-autonom.

Ligji u miratua nga Komiteti i Përhershëm Kombëtar i Kongresit Popullor të Kinës, që është organi më i lartë ligjvënës në këtë vend.

“Ligji shënon fundin e Hong Kongut që bota e njihte më parë”, shkroi në Twitter aktivisti pro demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong.

Drafti i projektligjit nuk u bë publik para se të kalohej, që do të thotë se njerëzit në Hong Kong nuk i kanë parë detajet e masave që tani duhet të zbatojnë.

Hong Kongu iu kthye Kinës në vitin 1997 nga kontrolli britanik, por nën një marrëveshje të veçantë që garantonte të drejta të caktuara për 50 vjet. Hong Kongu ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin.

Për këtë arsye, ligji i ri ka sjellë zemërim jo vetëm në Hong Kong, por edhe më gjerë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *