Vendosni fjalën kyçe....

Fotot duke konsumuar kokainë, PD i drejton publikisht gishtin kryebashkiakut të Bulqizës


Pas fotove të publikuara nga ABC News, Partia Demokratike thotë se kryebashkiaku i cili shfaqet duke konsumuar drogë është ai i Bulqizës, Lefter Alla.

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji doli në një deklaratë për mediat, duke akuzuar Lefter Allën publikisht.

Salianji thotë kokaina heroina, kanabisi, vjedhjae  zhvatja janë cilësitë kryesore që vlerëson kryeministri Edi Rama dhe që i ka klonuar tek të emëruarit e tij.

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë.

Kokaina, heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, që i ka klonuar tek emërimet e tij politike në pushtetin lokal dhe në administratën publike.

Janë lidhjet me krimin, është hajdutëria dhe babëzia motivi kryesor që e ka shtyrë Edi Ramën të kapë sistemin e ri të drejtësisë, siç vulosi së fundmi, emërimin antikushtetues të vartësit të vet Artur Metani në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë.”- thotë Salianji.

“ABC News” publikoi sot disa foto ku shihet një person duke konsumuar kokainë, që sipas gazetarit Artan Hoxha, është një kryetar bashkie. Hoxha tha se në orët në vijim do të publikojë edhe videon e kryebashkiakut. Edhe pse nuk jepet emri i tij, ka patur sugjerime ditën e djeshme nga disa media se bëhet fjalë për atë të Bulqizës, Lefter Alla. Ndërsa sot opozita e akuzoi publikisht se bëhet fjalë për të.

Në deklaratën për mediat, Salianji vijoi më tej duke kundërshtuar emërimin e Artur Metanit në krye të ILD-së, duke theksuar se emërimi është bërë në shkelje flagrante të neneve të Kushtetutës dhe të ligjit.

“Emërimi i paligjshëm dhe nul me dhunën e kartonave i Artur Metanit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”, i cili ndalon një jurist të emërohet Inspektor i lartë i Drejtësisë, nëse ai ka mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 viteve të fundit.

Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor, pasi ai ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, një pozicion që ligji për administratën publike e konsideron shumë qartë so funksion politik.

Edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Rama ka zgjedhur që kontrollor të gjyqtarëve dhe prokurorëve të emërojë ish vartësin e tij dhe vëllain e deputetes së tij për ta përdorur për të kërcënuar gjyqtarë dhe prokurorë, kur ata të hetojnë apo gjykojnë dosjet e korrupsionit, të vjedhjes së votave nga qeveria e Edi Ramës apo që padrejtësinë ta kthejë në normë ndaj kundërshtarëve politikë.”– deklaroi ish-deputeti.

Ai thekson se një ditë: “Të gjithë do të japin llogari një më një para ligjit!”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *