Vendosni fjalën kyçe....

Kosova shpall 8 shkurtin ditë zie kombëtare në shenjë respekti për viktimat e tërmetit në Turqi e Siri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, 8 shkurtin 2023 e ka shpallur ditë zie shtetërore në Kosovë pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar.

Osmani në rrjetet sociale tha se përballë tragjedive të tilla “duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje” dhe theksoi se “dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona”.

“Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen”, shkroi Osmani.

Osmani tha se tragjedia në Turqi dhe Siri ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë Kosovën, duke zgjuar dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit e tyre, por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja.

“Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja. Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë”, shkroi tutje Osmani.