Vendosni fjalën kyçe....

Barnat e reja në treg, KLSH: Gjatë 2020 asnjë analizë si për importet dhe për vendaset


2020-a, i cilësuar si një vit me gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të shpërthimit të pandemisë së COVID-19 bëri që institucionet në sektorin e shëndetësisë të ndodheshin përballë të papriturave të mëdha dhe rritjes së vigjilencës.

Por Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk i ka kushtuar rëndësi pjesës së analizave laboratorike që duhet të kryen për barnat e reja të importuara apo të prodhuara në vend.

Konkretisht sipas KLSH Agjencia Kombëtarë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, ka rezultuar në një nivel shumë të ulët të analizës së barnave edhe pse struktura e këtij sektori është i përbërë nga 14 analist dhe 4 laborant,.

Kjo sipas audituesve ka cenuar qëllimin kryesor të veprimtarisë së sektorit të kontrolli të barnave, po ashtu si dhe veprimtarisë kryesore të institucionit, i cili është cilësia dhe siguria e barnave te importuar si dhe barnat e prodhuara në vend, në kundërshtim me nenit 10 të rregullores nr.7260 prot datë 25.09.2017 miratuar me urdhrin nr.264, datë 25.09.2017 si dhe ligjit nr.105/2014 datë 31.07.2014 “Për Barnat dhe shërbimin farmaceutik”, i ndryshuar.

“Për vitin 2020, në të cilën është shpallur edhe gjendja e jashtëzakonshme për COVID-19, laboratori i kontrollit nuk ka kryer asnjë analizë mbi barnat të cilat janë importuar apo barnat e prodhuara në vend. Edhe pse ne këtë periudhë ky laborator duhet të ishte në vijën e parë për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e ilaçeve nëpërmjet analizave të mostrave, ky laborator ka qenë inekzistent, duke mos dhënë asnjë siguri mbi të gjitha barnat apo kontrollet e detyrueshme te cilat duhet të vinin nga sektori i inspektimeve mbi cilësinë e medikamenteve.

Një ndër arsyet se pse nuk ka pasuar analiza në laborator duket se ka të bëjë me faktin që godina ekzistuese ka qenë jashtë funksioni nga tërmeti deri në ngritjen e të resë.

“Në Raportin Vjetor të Veprimtarisë për vitin 2020 nga laboratori i kontrollit të barnave është cituar se përgjatë vitit 2020 për shkak të shpalljes së godinës së ISHP kati i 4 objekt i pa banueshëm pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, deri në shtator kur u inaugurua godina e re e AKBPM nuk u kryen analizime barnash.

Për periudhën shtator–dhjetor 2020 nga Laboratori i Kontrollit u punua me kalibrimin dhe matjen e aparaturave si dhe dokumentet për akreditimin e tij, sipas standardeve të përcaktuara nga ISO 17025” thuhet në raport.

KLSH në një tabelë specifike ka dhënë në detaj se për vitin 2020 numri total i barnave të regjistruara ishte 14 728 ndërkohë që nevoja për analiza për autorizim tregtimi ka qenë për 318 dhe riautorizim tregtimi 422.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor