Vendosni fjalën kyçe....

Pranga 40-vjeçarit në Kukës, akuzohet se dhunoi e kërcënoi bashkëshorten e fëmijët


Një 40-vjeçar është arrestuar në Kukës pasi akuzohet për dhunë në familje dhe se ka kanosur me armë bashkëshorten e fëmijët.

Gjatë kontrollit në banesën në fshatin Pistë të personit me iniciale B.F., i cili sipas policisë ka precendentë të mëparshëm, efektivët kanë gjetur një armë zjarri automatike, një karikator me fishekë, nëntë kapsolla e tre metra fitil.

Njoftimi

“Kukës/Finalizohet operacioni policor i koduar “No more”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale në familje.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës në një familje.

Ushtroi dhunë fizike dhe kanosi me armë zjarri, bashkëshorten dhe fëmijët, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.

40-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal, për dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.

Gjatë kontrollit në banesën në pronësi të tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik, 1 karikator me fishekë, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pistë, po ndodhte një konflikt në familjen e shtetasit B. F., menjëherë organizuan punën dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “No more”, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, arrestuan në flagrancë shtetasin B. F., 40 vjeç, banues në fshatin Pistë.

Ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve, si dhe i ka kanosur ata me armë zjarri.

Gjatë kontrollit në banesën në pronësi të shtetasit B. F., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, 1 karikator me fishekë, 9 kapsolla detonatore dhe 3 metër fitil zjarrpërcjellës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.”