Vendosni fjalën kyçe....

Kujt iu kërkua deklarimi i pasurisë sot e si e shpëtoi nga arrestimi ish-deputeti i Partisë Socialiste


Ditën e sotme, i ashtuquajturi operacioni forca e ligjit i çoi formularin për verifikimin e pasurive shtetasit Bardhok Pllanaj nga Shkodra.

Por kush është personazhi në fjalë?

Pllanaj 6 vjet më parë i shpëtoi arrestimit pasi ishte në makinën e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Mark Frroku. Pllanaj kërkohej për trafik ndërkombëtar droge ndërsa ngjarja ku ai ka qenë në makinën e ish-deputetit ka ndodhur në datat 1e 2 tetor 2014.

Në procesverbalin e zbardhur asokohe nga media, rezulton se Pllanaj po mbahej nën vëzhgim nga policia  me kërkesë nga Krimet e Rënda.

Ngjarja

Sipas raportit të dorëzuar nga agjentët e vëzhgimit, thuhet se Pllanaj gjatë gjithë ditës së 1 tetorit 2014 ishte nën vëzhgim, ku përshkruhen me detaje lëvizjet e tij, makinat që ka ndërruar si dhe lokalet që ka frekuentuar.

Referuar këtij procesverbali, në darkë i dyshuari është afruar në lokalin ‘Antika’ tek Shallvaret me makinën e deputetit Mark Frroku.

Rreth orës 1 pas mesnate të datës 2 tetor, makina e deputeti Frroku është nisur në drejtim të Laprakës, ku policia, nga frika e largimit të personit të shpallur në kërkim, organizoi një postbllok në Kamzë, pranë Bulavardit Blu.

Në momentin që makina afrohet, policia e ndalon atë, por nuk mundet të hapë dyert që ishin të bllokuara nga brenda.

‘…Rreth dy minuta automjeti ka qëndruar pa lëvizur dhe dyert janë konstatuar nga ana jonë të mbyllura, më pas nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40-45 vjeç i veshur me kostum ngjyrë blu e errët është prezantuar si deputet i parlamentit të Shqipërisë me emrin Mark Frroku, pas kontaktit vizual i njohur nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër te tjera se:

Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të parlamentit pasi unë jam deputet, automjeti është në pronësinë time’, shkruhet në procesverbalin e policisë, të nënshkruar nga nëntë persona, të cilët më pas e kanë lënë të lirë makinën bashkë me pasagjerët e saj.

Nga ana e policisë i është bërë e ditur deputetit Frroku se personi që ndodhet në makinë duhet të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë, por pas kundërshtisë së deputetit Frroku, agjentët e vëzhgimit kanë komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pemën duke e vënë në dijeni për kundërshtimin e deputetit Frroku.

I gjithë ky debat ka zgjatur për më shumë se 20 minuta dhe më pas agjentët janë larguar duke lënë të lirë Bardhok Pllanajn.

Referuar hetimeve të prokurorisë për Krime të Rënda në atë kohë, për operacionin e ‘Vilunit’ u arrestuan 7 persona dhe u bllokuar një skaf me rreth 800 kg hashash nga policia malazeze.