Vendosni fjalën kyçe....

Dështon zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, hera e parë në 100 vjet


Kevin McCarthy nuk arriti të zgjidhej kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. 

Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diçka që nuk është parë qe një shekull.

Udhëheqësi republikan, Kevin McCarthy, dështoi në përpjekjen e tij për t’u zgjedhur kryetar – hera e parë që nga viti 1923, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk u zgjodh që në rundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka 435 anëtarë.

Ai nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tri rundesh votimi, ku 20 ligjvënës konservatorë votuan kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan.

Kongresisti nga Kalifornia nuk u votua tri herë radhazi dhe është e paqartë se cila mund të jetë rruga e tij drejt fitores, kur Dhoma e Përfaqësuesve të mblidhet të mërkurën, për të provuar gjithçka nga e para. Ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të votojnë derisa një kandidat të fitojë shumicën, raporton REL

Ende nuk dihet nëse do të ndryshojë qëndrimi i grupit që e kundërshtoi McCarthyn, apo nëse mund të shfaqet ndonjë kandidat i ri.

Por, edhe nëse McCarthy gjen një mënyrë për të fituar, analistët parashikojnë trazira në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët kanë fituar një shumicë të ngushtë, 222-212, në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa një vend është momentalisht vakant.