Vendosni fjalën kyçe....

“Je kokrra e legenit” – Ndërpritet seanca pas debateve të forta, punonjësit e Gardës i dalin para Nokës


Debatet e forta kanë detyruar kryetaren e Parlamentit Lindita Nikollën që të ndërpriste seancën parlamentare për disa minuta.

Debatet nisën pasi deputeti i PD-së Flamur Noka ka kërkuar vendimin dhe arsyen se përse është jashtë grupit parlamentar të PD-së.

“Zonjë më nxirr dokumentin që una kam kërkuar të largohem nga grupi i PD-së. Ose më nxirr një vendim të këtij Parlamenti që më ka shpallur armik. Që nga nesër zonjë do të bëjë gati një padi në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të ligjit dhe për menyrën sesi ju silleni në Kuvend, sikur të jetë mejhane e jo Parlament.”- u shpreh Noka.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se nuk mbante përgjegjësi ajo për këtë por grupi parlamentar i PD-së dhe se ajo vetëm kishte për detyrë të njoftonte vendimin e marrë nga vetë grupi, që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Ky i fundit e ka quajtur “legen” Flamur Nokën dhe “matuf” Tritan Shehun, pasi ai tha se Alibeaj ka falsifikuar dokumentet.

Pjesë nga debati:

Tritan Shehu: …ai ka falsifikuar dokumentet.

Enkelejd Alibeaj: Ti je legen, je kokrra e legenit. Të vij atje e ta tregoj kush është falsifikatori. More vesh apo jo. Ta tregoj unë.

Oerd Bylykbashi: Grupi Parlamentar nuk ka marrë asnjë vendim…

Flamur Noka: Apo e vendos ti me Taulantin se kush është deputeti i opozitës dhe kush jo?!

Lindita Nikolla: E kam këtu vendimin e Grupit Parlametar…

Deputeti Oerd Bylykbashi u shpreh se maxhoranca kërkon shpërbërjen e opozitarizmit në vend dhe të Partisë Demokratike.

“Zonja kryetare, i përmbahem rregullores më shumë se ju. Po flas unë tani. Ju kam kërkuar vendimin e Kuvendit dhe keni dështuar. Edhe ajo që thatë sot ishte shprehje vullneti. Asnjë nen në Kushtetutë e Kod Zgjedhor që rregullon të drejtën e Kuvendit për të përfaqësuar, nuk i jep askujt të drejtën veç deputetit ta largojë nga grupi parlamentar.

Ju tundët një copë letër që bashkë me një tjetër padi të paligjshme mbajnë peng opozitën. Një qëllim keni ju në këtë goditje, si të shpërbëni pluralizmin politik duke shpërbërë PD-në, por nuk do ta arrini dot. Nëse pranoni sot që keni vepruar mbi bazën e një kërkese që ka ardhur nga persona pa të drejtë, vini firmën tuaj.”- tha Bylykbashi.

Noka i nervozuar vazhdoi debatin ndërsa punonjësit e Gardës së Republikës u mblodhën pranë foltores duke krijuar një kordon për të ndaluar Nokën t’i afrohej më tepër Nikollës.

Në një moment duket sikur ka patur një konflikt edhe mes deputetit Luan Baçi me Enkelejd Alibeajn, që gati sa nuk u përplasën fizikisht.