Vendosni fjalën kyçe....

Eno Bozdo: Projekti i ndërtimeve “Alabbar” është vjedhja më e madhe e pronës publike


Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka akuzuar qeverinë për vjedhjen e taksave të qytetarëve shqiptarë në lidhje me atë që ai e quajti afera e portit të Durrësit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Bozdo ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ia fal pasurinë e shqiptarëve, Alabbar-it.

Bozdo thotë se me projektin e portit po kryen dy vjedhje të mëdha njëkohësisht, e para nëpërmjet projektit “Alabbar” dhe e dyta nëpërmjet një PPP-je tjetër.

“Përfundimi është se Rama ka vendosur të vjedhë dy herë Shqipërinë dhe shqiptarët: e para nëpërmjet projektit ‘Alabbar’, që ka filluar të shesë në ajër apartamentet e pa ngritura që tani, dhe e dyta nëpërmjet një PPP tjetër me të cilin do të ndërtohet Porti i ri i Durrësit. “– tha Bozdo.

Sipas tij, projekti i ndërtimeve Alabbar është vjedhja më e madhe e pronës publike.

“Rama zgjodhi të mos hapte garën sepse Alabbar është mik dhe klient i tij, dhe Rama mikut i dhuron, sigurisht jo thjesht në emër të mirësisë, pronën më strategjike të shtetit shqiptar, Portin aktual të Durrësit.”- tha anëtari i Kryesisë së PD-së.

DEKLARATA E BOZDOS

Ju ftoj të dëgjojmë së bashku deklaratën zyrtare të qeverisë shqiptare:

(Deklarata e qeverisë – 12 dhjetor 2022)

Siç edhe e dëgjuat, qeveria ka vendosur mbi dy çështje të rëndësishme me të cilat sot debatohet shume:

Së pari, vetëm faza e parë e ndërtimit të Portit të ri të Durrësit do të kushtojë 390 milionë euro dhe ndërtimi i tij do të bëhet nga fituesi i një gare ndërkombëtare;

Së dyti, mekanizmi i financimit do të jetë përsëri një partneritet publik-privat, apo ndryshe PPP;

Por le ti shohim këto çështje më nga afër:

Qeveria ka vendosur që  të hapë garën ndërkombëtare për një projekt qe kushton 390 milionë euro, pasi ka hartuar së bashku me konsulentin ndërkombëtar, të gjitha studimet përkatëse.

Pyetjet që ne ngremë sot janë:

Perse kjo skemë nuk u zbatua edhe me projektin e ndërtimit të apartamenteve, hoteleve dhe marinës, dmth në projektin Alabbar që kushton 2 miliardë euro?

Përse, gara që zv/kryeministria Balluku e konsideron të domosdoshme, nuk u aplikua edhe ne rastin e projektit Alabbar?

Përse u negociua drejtërsëdrejti me Alabbar, pa hapur garën dhe vendosur kritere specifike?

Perse 80 deri në 150 ha i jepen pa garë Alabbar për të ndërtuar dhe fituar?

Perse Alabbarit i falen 150 milione euro ne taksa?

Përse toka e ndërtimit i jepet me 1 euro, ndërsa për Portin e ri të Durrësit u dashka hapur gara? 

Përse nuk u mor një konsulent ndërkombëtar që të përgatitej një projekt ndërkombëtar dhe i gjithë projekt të tenderohej ndërkombëtarisht?

Cilin standard duhet të besojmë: atë që qeveria prezanton përpara ambasadorëve, apo atë që Rama zbaton me mikun e tij Alabbar?

E vërteta është se i zënë ngushtë përpara opinionit publik për aferën e ndertimeve ne portin ekzistues, Rama dhe qeveria e tij premton garë ndërkombëtare përpara ambasadorëve! E bën këtë ngaqë është zënë me presh në dorë ndërsa vjedh Durrësin dhe Portin e tij.

Projekti i ndërtimeve “Alabbar” është vjedhja më e madhe e pronës publike, korrupsioni më harbut dhe arrogant që kjo qeveri ka bërë ndonjëherë.

Rama zgjodhi të mos hapte garën sepse Alabbar është mik dhe klient i tij, dhe Rama mikut i dhuron, sigurisht jo thjesht në emër të mirësisë, pronën më strategjike të shtetit shqiptar, Portin aktual të Durrësit.

Madje duke bërë këtë, ka guximin e të paturpshmit kur ia shet durrsakëve dhe shqiptarëve si “zhvillim dhe ekonomi”. E vërteta është që ia sapo i ka vjedhur Durrësit dhe gjithë Shqipërisë asetin më të vlefshëm, dhe e ka bërë këtë vetëm për përfitim të tij.

E ka bërë këtë në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe MSA, ndërsa ambasadorëve dje u premton rregulla loje dhe garë të ndershme. Ky është Edi Rama, me një fytyrë kinse evropiani për ndërkombëtarët, dhe një fytyrë të vërtetë Enveri për shqiptarët.

Së dyti, qeveria sapo na pohoi faktin që edhe porti i ri do të ndërtohet me koncesion: Sipas qeverisë, 54% të financimit do te mbulohet nga kompania ndërtuese. Kjo, po sipas qeverisë, “…nuk do të rëndojë në buxhetin e shtetit sepse do të paguhet nga Autoritetit Portual i Durrësit…”

54% e një investimi 390 milionë euro është 210 milionë euro. Po të marrim parasysh që fitimi vjetor i “Porti Durrës sha” është rreth 2 milionë euro në vit, kuptohet që do të duhen më shumë se 100 vjet për të shlyer këtë investim.

Asnjë skemë biznesi nuk mund të qëndrojë me matematikën e kësaj qeverie. Prandaj ky është një mashtrim i pastër, për ti shitur opinionit publik PPP mashtruese të radhës.  Dhe këtë e bën pikërisht ditën kur misioni i FMN deklaroi se PPP që kanë arritur në 40% të PBB, janë rreziku më i madh për ekonominë shqiptare dhe se qeveria aktuale nuk ka bërë asgjë për ti dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.

Përfundimi është se Rama ka vendosur të vjedhë dy herë Shqipërinë dhe shqiptarët: e para nëpërmjet projektit “Alabbar”, që ka filluar të shesë në ajër apartamentet e pa ngritura që tani, dhe e dyta nëpërmjet një PPP tjetër me të cilin do të ndërtohet Porti i ri i Durrësit.

Lekët do t’i paguajnë shqiptarët, pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë. Rrënimi i Shqipërisë po ndodh njësoj, për të majtë e të djathtë. Largimi i shqiptarëve dhe zbrasja e vendit i ka prekur të gjithë, të majtë dhe të djathtë. I vetmi që fiton është Edi Rama, që nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por rreziku numër një i Shqipërisë.