Vendosni fjalën kyçe....

Berisha vlerëson primaret në PD: Përmbushëm zotimet, Shqipëria në një moment kyç elektoral e politik


Kreu i PD-së Berisha vlerësoi primaret për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Sipas tij, procesi ishte përmbushje e zotimit të marrë në Kuvendin e PD-së dhe të përcaktuara në statutin e rithemelimit të partisë më 11 dhjetor.

“Mbledhja është thirrur në një moment shumë të rëndësishëm, në rrafshin elektoral dhe politik. Përfunduan me sukses primaret, proces që zhvillohej për herë të parë në këtë proporcion, transparencë e pjesëmarrje. PD në përputhje me përcaktimet e Statutit të Rithemelimit të 11 dhjetorit, bëri realitet premtimin e saj dhe sanksionin e këtij premtimi, se të zgjedhurit, pushtetarët vendorë dhe deputetët do të zgjidheshin me votën e anëtarësisë dhe simpatizantëve. Në garë pati mbi 200 kandidatura, veprimtarë të shquar të vendosur të PD, por në garë morën pjesë edhe nga shoqëria civile, përfaqësues ekselentë të shqiptarëve në emigracion.

Në garë, e para me këto standarde në historinë e vendit, votuan rreth 55 mijë anëtarë e simpatizantë të PD-së. Kurrë ndonjëherë në këtë parti nuk janë hedhur kaq vota. Votimi kaloi me të paktën 15 përqind të gjitha votimet e tjera. Rast për të falënderuar të gjithë kandidatët që kandiduan, rast për të shprehur mirënjohje të gjithë atyre që morën pjesë. Ju siguroj se Komisioni i Menaxhimit të Zgjedhjeve do studiojë procesin me qëllim përmirësimin e tij të mëtejshëm.” – tha Berisha.