Vendosni fjalën kyçe....

Vijojnë të bllokuara rrugët në veri të Kosovës


Edhe sot rrugët në veri të Mitrovicës, Kosovë, vijojnë të jenë të bllokuara nga barrikada e vendosura nga serbët, shkruan Koha.

Tensionet në veri të vendit vijojnë të jenë të larta prej disa ditësh. Pas shpërthimeve në komunat veriore, Policia e Kosovës arrestoi ish-efektivin e saj, serbin Dejan Pantiç, duke e akuzuar si të lidhur me shpërthimet.

Pas kësaj serbët vunë barrikada në rrugët në veri që të çojnë në pikat kufitare me Serbinë. Kosova vendosi shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore, të lajmëruara për këtë muaj, për në prill 2023.

Po kështu Prishtina mbylli dy pika kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak. Para dy ditësh policia e Kosovës u qëllua me armë gjatë patrullimit në rrugë në komunat veriore.

Grupe të armatosura qëlluan edhe ndaj forcave të EULEX-it si dhe sulmuan gazetarët e Kosovës, sulme për të cilat autoritetet e Kosovës kanë akuzuar presidentin serb Vuçiç.

Ky i fundit deklaroi se do i kërkonte KFOR-it të lejonte vendosjen e 1 mijë trupave serbe në Kosovë ndërsa kryeministri Kurti deklaroi se Serbia kërkon të rikthejë kohën e Millosheviçit.