Vendosni fjalën kyçe....

Berisha me fermerët e Anës së Malit: Jemi të vendosur për rrëzimin e qeverisë Rama


Ish-kryeministri Sali Berisha po zhvillon sot një takim me fermerët shkodranë në njësinë Ana e Malit. Në krah të tij është kandidati për kryetar në Bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia.

Berisha u tha fermerëve gjatë fjalës së tij, se kryeministri Edi Rama i ka diskriminuar fermerët kudo që janë, në Jug apo në Veri të vendit.

Ai tha se do që t’ju japë një mesazh shqiptarëve për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.

 “Nëse fermerët shqiptarë kanë qenë ndonjëherë të braktisur, ka qenë kjo periudhë, Ju vazhdimisht më keni dëgjuar se Edi Rama e ka diskriminuar veriun dhe e them me bindjen më të plotë, por me ju, me fermerët, ai i ka diskriminuar fermerët kudo që janë. Ai u ka hequr mbështetjen, në një psikologji absolutisht të mbrapshtë dhe totalitare.

Në psikologjinë atërore, ‘privati është privat dhe nuk ka punë me të për shtetin’, por ndërkohë privati është themeli i shtetit, por jo në psikologjinë e një hajduti, të një njeriu që vjedh. Natyrisht mbështetjet individuale për fermerët, subvencionet, grantet nuk janë shuma të mëdha që mund të mbushësh valixhen siç i mbush me koncesionet, me tenderat e mëdhenj dhe në këtë mënyrë ai i ka hequr nga llogaria e ndihmës, duke ua bërë fermerëve shqiptarë shumë të vështirë konkurrencën me tregun përreth dhe tregun evropian.

Në këtë kontekst, kjo fushatë është e përgjithshme edhe për ju, sepse ne duam të japim këtu në Shkodër, në Durrës, në Peshkopi, Lushnjë, Rrogozhinë, Kavajë, një mesazh të gjithë shqiptarëve, kundër qeverisë së Edi Ramës dhe vendosmërinë tonë për të ecur në objektivin e dytë të madh, rrëzimin e këtij shteti për të cilin interesat e qytetarëve nuk ekzistojnë.”- u shpreh Berisha.