Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina kritikon Gjermaninë: S’e kuptojmë pse nuk na dërgon tanke


Gjermania ka ngurruar të furnizojë Ukrainën me tanket kryesore të betejës ‘Leopard 2’, tha të dielën ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba.

Ai shtoi se Kievi nuk e kupton fare arsyen pse Berlini është në mëdyshje për dërgesat, duke pasur parasysh të gjithë mbështetjen ushtarake që tashmë po shkon në Ukrainë.

Duke folur për programin e lajmeve Tagesschau, Kuleba pohoi se Gjermania ishte zotuar t’i dërgonte Ukrainës më shumë dërgesa armësh, të cilat, megjithatë, nuk do përfshinin tanket që Kievi i kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur.

“Një vendim i tillë ende nuk është marrë, nuk është dhënë asnjë premtim. Por ne po punojmë për këtë.” – tha ai.

Kuleba qortoi Berlinin për qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, duke thënë se qeveria ukrainase nuk mund ta kuptonte pse Gjermania po dërgonte artileri, por jo forca të blinduara të rënda.

“Për të qenë i çiltër, ne nuk e kuptojmë këtë linjë argumenti.” – tha ministri, duke shtuar se mungesa e armëve nënkuptonte se konflikti do vazhdonte më gjatë, duke mos u përshtatur as me interesat e Ukrainës dhe as të mbështetësve të saj perëndimorë.

Zyrtari vazhdoi të thotë se Ukraina ka nevojë për gjeneratorë dhe transformatorë për të mbijetuar dimrin mes sulmeve të përsëritura ruse në infrastrukturën energjetike të vendit.