Vendosni fjalën kyçe....

Ulet lehtë çmimi i naftës e benzinës në vend


Është ulur lehtësisht çmimi i naftës e benzinës në vend.

Nafta do shitet me pakicë me 236 lekë për litër nga 240 që ishte deri tani ndërsa benzina do shitet me 196 lekë nga 203 lekë që ishte deri sot.

Ndërsa gazi do shitet me 74 lekë për litër.

Vendimi është marrë sot nga Bordi i Transparencës.

Vendimi i Bordit të Transparencës

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 1 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 31.10.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 929, + 63 nga data 11.10.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1088, – 21 nga data 11.10.2022) $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një ulje të lehtë në 119.25 (– 1.39 nga data 11.10.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 236 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 224lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 74 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 62 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i shitjes së gazoilit/naftës për peshkim është 142 lekë/litri.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 1 Nëntor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.