Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthimi i gazit rrafshon bllokun e apartamenteve në ishullin anglez, 5 viktima e disa të zhdukur


Ka shkuar në pesë numri i viktimave pas një shpërthimi gazi në ishullin britanik Jersey, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po kërkojnë nën rrënojat e godinës së rrëzuar teksa shumë persona janë shpallur të zhdukur.

Autoritetet në ishullin që ndodhet në Kanalin Anglez, shumë pranë Francës, thonë se po vazhdojnë të kërkojnë rrënojat e një blloku banesash në St Helier, i cili u shkatërrua nga një shpërthim në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Policia e Shtetit të Xhersit tha se beson se ‘katër’ banorë janë ende të pagjetur pas shpërthimit shkatërrues që rrafshoi bllokun e ulët të apartamenteve.

Robin Smith, shefi i policisë së Xhersit, tha: “Numri i banorëve të ishullit të konfirmuar se janë vrarë në shpërthim tani është pesë. Ka ende një numër banorësh që janë të zhdukur e po punohet për gjetjen e tyre.”

Shërbimet e urgjencës ishin thirrur në banesat e Haut du Mont pak para orës 4 të mëngjesit mes raporteve për një incident të madh. Vendasit u zgjuan nga ajo që dukej si një tërmet teksa shtëpitë e tyre u drodhën dhe dritaret u thyen teksa ndërtesa trekatëshe u shemb përdhe.