Vendosni fjalën kyçe....

Postimin e parë e fshiu, Shemsi Prençi denoncon përsëri primaret: Nuk i njoh, ka më shumë socialistë në lista se demokratë


Kandidati në Primaret e PD-së në Kamëz, Shemsi Prençi i cili më herët tha se tërhiqej nga gara por pastaj e fshiu postimin, ka vijuar me denoncimet për procesin e Primareve.

Pasi e fshiu postimin e parë, Prençi e ka denoncuar sërish procesin e Primareve duke u ankuar se në listat e votuesve ka më shumë anëtarë të Partisë Socialiste sesa demokratë.

“Të nderuar demokrat të bashkisë Kamez-Paskuqan! Me keqardhje ju njoftoj se po konstatojmë se në listat zgjedhore të Primareve ka më shumë anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Socialiste se anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike.”- shkruan ai.

Përpos kësaj, ai ankohet se më shumë e gjysma e anëtarësisë së PD-së nuk e gjen emrin në listat e votimit. Ai shton se emrin në lista nuk e ka as kryetari i Forumit Rinor të PD-së Françesko Muça, as nënkryetari e anëtarët e Kryesisë dhe drejtuesit e Grupseksioneve e seksioneve të PD-së.

Postimi i fshirë

 

DENONCIMI I PRENÇIT

Të nderuar demokrat të bashkisë Kamez-Paskuqan! Me keqardhje ju njoftoj se po konstatojmë se në listat zgjedhore të Primareve ka më shumë anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Socialiste se anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike.

Mbi 50% e anëtarësisë së Partisë Demokratike nuk kanë emrin në listat e votimit. Madje rezulton se nuk kanë emrin në listat e votimit as Kryetari i Forumit Rinor te PD, Z. Françesko Muça dhe N/ Kryetari e anëtarët e Kryesisë dhe drejtuesit e Grupseksioneve e seksioneve të PD.

Gjithashtu në listat e votuesve përsëriten emrat e votuesve nga 2, 3, 4 herë një person që nuk ka lidhje fare me Partinë Demokratike. Një situatë të tillë e kemi konstatuar në grup duke mbikëqyrur procesin së bashku me dy kandidatet e tjerë Zotërinjt: Arjan Hoxha dhe Asllan Dogjani, si dhe Kryetari i PD Kamez Arben Muja e Sekretari Gjovalin Pali.

Në këto kushte anarkie dhe për të mos u bërë pjesë e kësaj katrahure zgjedhore, vendos dhe bëj publike:

Mos njohjen e këtij procesi zgjedhor!  Gjithashtu i kërkoj Partisë Demokratike të Shqipërisë , përsëritjen  e Procesit të Primareve, duke respektuar Statutin e PD dhe udhëzimet e saj në lidhje me Prmaret i bindur se vetëm kështu do realizojmë një proces të Primareve në Partinë Demokratike, duke konsoliduar anëtarësinë dhe duke shpallura listat 5 ditë para votimit.

Lista e votuesve me Demokratet jashtë liste ka mbërritur në PD Kamëz vetëm sot me dt. 04 Dhjetor 2022 në ora 07:00.

Duke dëgjuar protestën e anëtarëve dhe drejtuesve te strukturave në 19 Grupseksionet e Partisë Demokratike Dega Kamëz jam i bindur në mos njohjen e këtij procesi denigrues për Demokratët e bashkisë Kamëz. Kauza e Demokratëve bashkia Kamëz, nuk është nxjerrja e një kandidati, por forcimi dhe bashkimi për tu përballur denjësisht me regjimin Rama-Rilindja me dt. 14 Maj 2023 dhe për ti kthyer bastionin Demokratëve e Bashkinë Kamëz qytetarëve.

Mirënjohje dhe respekte për demokratët e Kamzës dhe Paskuqanit.

Rroftë Partia Demokratike e Shqipërisë.