Vendosni fjalën kyçe....

Alimehmeti për shembjen e “Prestige Resort”: Bëhet për të kontrolluar me dhunë mediet para zgjedhjeve


Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti i cili kandidon sot në Primaret e PD-së për bashkinë e Tiranës, ka reaguar pas shembjes së “Prestige Resort”.

Ai thotë se kur një biznes hidhet në erë pa vendim gjykate dhe me leje ndërtimi, ai do të dëmshpërblehet dy herë nga qeveria për dëmin e shkaktuar.

Alimehmeti thotë se e gjithë kjo bëhet për të kontrolluar median para zgjedhjeve lokale.

“Nëse një biznes hidhet në erë pa vendim gjykate (që dilte nesër) dhe pasi ia ka dhënë vetë lejen e ndërtimit, do të thotë vetëm që:

Me lekët tona ne do të na duhet të dëmshpërblejmë dëmin e shkaktuar dy herë nga qeveria.

Qeveria mendon vetëm për interesat e tyre personale dhe aspak për dëmet që i bën komunitetit.

E gjitha kjo vetëm për të kontrolluar me dhunë mediat përpara zgjedhjeve vendore.

Ky është abuzim i dyfishtë fuqie. Këtë abuzim do ta paguajnë dyfish njerëzit.”– shkruan ai.

Alimehmeti votoi herët këtë mëngjes në selinë qendrore të Partisë Demokratike dhe ftoi të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike që të shkojnë të votojnë.

“Sovraniteti largohet nga forumet dhe kryetari i partisë. Sot keni të drejtën ju të votoni për më të mirën tuaj. Ju ftoj të gjithëve të vini e të votoni për të ardhmen tuaj. Votime si këto nuk janë bërë më parë. Të gjithë kandidatët kanë pasur listën e votuesve. Janë të gjitha të dhënat. Patjetër që jo të gjithë vijnë për të votuar. Fushata ka qenë pozitive. Nuk ka pasur incidentet, vetëm situata të vogla që zgjidhen.”– tha Alimehmeti pas hodhi në kuti votën e tij.

Ai është njëri nga shtatë kandidatët në garë për primaret e Tiranës në PD, i cili nëse zgjidhet mund të garojë përballë Erion Veliajt në zgjedhjet lokale.