Vendosni fjalën kyçe....

Rrumbullaku: Policia s’do ndalojë asnjë protestë, siguria e delagacioneve të BE-së që vijnë për samitin prioritet mbi preferencat gjeografike


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku deklaroi sot se policia nuk do ndalojë protestën e paralajmëruar nga opozita me 6 dhjetor por theksoi se siguria e delegacioneve që marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor është parësore.

Në një konferencë për mediat, numri një i policisë tha gjithashtu se policia nuk do lejojë që ajo të shtrihet jashtë perimetrit të sigurisë.

“Nisur nga përvoja e aktiviteteve të mëparshme, Policia e Shtetit ka fituar përvojën dhe besojmë se do tregojë përkushtim e profesionalizëm. Duam të sigurojmë qytetarët se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi dhe jetës së përditshme. Rrugët e  bllokuara, lëvizja është devijuar në rrugë dytësore. Policia nuk ka pasur e nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por siguria e delegacioneve që do të marrin pjesë në Samit, na imponon të vëmë sigurinë kombëtare e ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar. Nuk e ndalojmë protestën, por garantojmë mbajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë. Kemi besimin e arsyeja do mbizotërojë mbi emocionet, por jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta.” – tha ai.

Protesta e thirrur nga opozita me 6 dhjetor, ditën që në Tiranë do mbahet samityi BE-Ballkani Perëndimor është shoqëruar me debate e akuza të forta mes shumicës e opozitës. Kryeministri Rama, ministrja e deputetë të tij e kanë quajtur protestën një përpjekje të Sali Berishës për të mbrojtur interesat e tij.

Ky i fundit bashkë me aleatin Meta janë përgjigjur duke thënë se protesta është e drejtë kushtetuese e qytetarëve të vjedhur, mashtrua, dhunuar e përzënë nga qeveria Rama. Ata kanë theksuar se do e zhvillojnë protestën, ndërkohë që pak ditë më parë, policia nuk e dha lejen për të.