Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare Atalanta Pasko, e bija e Mitrush Kutelit


Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare Atalanta Pasko, një emër i njohur në montazhin e filmit shqiptar por edhe për faktin se është e bija e Mitrush Kutelit.

Sipas televizionit “News 24”, redaktorja e filmave është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Atalanta Pasko ka lindur më 23 Prill të vitit 1951 në Tiranë në një familje me origjinë çame. Në Tiranë ajo kreu shkollën e mesme të përgjithshme. Pasko nisi punën në moshën 21-vjeçare në Kinostudio “Shqipëria e re”, në montazh. Pas një specializimi të shkurtër, montoi filmat e parë dokumentarë si “Dhuruesit e jetës” dhe Higjienë” me regji të Mit’hat Fagut.

Filmi i parë artistik i saj si regjisore montazhi ishte ai “Në fillim të verës” (1975), i cili fitoi Çmimin e parë në Festivalin e parë të Filmit Shqiptar. Pasko paralelisht me punën vijonte studimet me korespondencë për Gjuhë-Letërsi duke përvetësuar edhe gjuhën frënge dhe italiane. Pasko ka bërë montazhin e mbi 20 filmave artistikë si “Gjeneral gramafoni”, “Nusja dhe shtetrrethmi”, “Radiostacioni”, “Apasionata”, “Fushë e Blertë, fushë e Kuqe”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, etj.

Për montimin e filmit vizatimor “Lisi” u nderua me një çmim të veçantë.

Përpos angazhimit të saj në filmin shqiptar, Pasko në vitet 90-91 mori pjesë në proceset demokratike dhe bëri disa shkrime në organet e ndryshme të shtypit demokratik.

Në vitin 1992 u transferua në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, fillimisht si përkthyese, dhe pas një viti si drejtoreshë e lajmeve të jashtme.