Vendosni fjalën kyçe....

“Qenefe dixhitale” – Rama s’harron të sulmojë mediat para udhëtimit drejt Londrës, nuk lë as ato të Kosovës


Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video selfie para udhëtimit të tij drejt Londrës, ku shprehet se qytetarët nuk duhet të kenë asnjë merak për mungesën e tij në vend, pasi thotë se do të kërkojë ndihmë dhe solidaritet nga homologët e tij në NATO.

“Miq të mi detyra më kërkon që të largohem sot drejt Londrës për Samitin e Natos dhe s’do mund të jem mes jush sot dhe nesër. Me të mbaruar samiti, nesër pasdite do të kthehem në Tiranë, por do të kem një ndalesë në Romë, ku do të jem në emisionin porta-porta. Do të jem në mbledhjen e qeverisë të enjten në në mëngjes, dhe më pas në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend ku do kalojmë buxhetin e rishikuar për nevojat bazike humanitare. Padyshim Samitin në NATO do ta shfrytëzoj për të kërkuar solidarizim.

Asnjë merak për këto 24 orë që nuk do të jem fizikisht, se do të jemi në komunikim me ministrat, dhe gjithçka do të vazhdojë sipas planit. Më keni parë mua por pas meje qëndrojnë ministrat, zëvendësministrat dhe të gjithë miqtë tanë.

Valët e tërmetit janë ulur fare, do të përkujdesemi për çdo familje që është në hall, qytetarët nga zonat e fshatit që me të drejtë nuk lëvizin dot nga toka do i pajisim me çadra për së mbari. Ne nuk po rrimë duarkryq.

Nuk kemi ndërmend të flemë gjumë pa mbuluar me strehë nevojtarin e fundit, të gjithë.”– tha Rama.

Mirëpo në fund, edhe njëherë tjetër Rama nuk iu ndal sulmeve ndaj medias, e në veçanti portaleve duke i quajtur “qenefe dixhitale”. Këtë radhë as mediat në Kosovë nuk i shpëtuan këtyre etiketimeve.

“Ju përgjërohem sa më pak televizor, hiç portale dhe qenefe dixhitale mundësisht. Ndjesë për gjuhën, të keqen e qenefit në fakt. Por për fat të keq njësoj janë dhe mediat e Kosovës. Mirë pra, përqafime të gjithëve se çfarë nuk të vret të bën më të fortë. Lavdia më e madhe është të ringrihesh sa herë që rrëzohesh, ma besoni. E ndiej shumë fort këtë. Shqipëria do të ngrihet më e fortë”, përfundoi kryeministri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *