Vendosni fjalën kyçe....

Rama për deklaratat e Sekretares së Brendshme britanike: Ende s’ka kërkuar falje, duket si sulm i llogaritur


Kryeministri i Shqipërisë thotë se është ende në pritje të një kërkese për falje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për komentet e Sekretares së Brendshme Suella Braverman për emigrantët shqiptarë.

“Nuk kam dëgjuar kurrë një falje, gjë që më bën të mendoj se në vend të shprehjes së ekzagjeruar të zhgënjimit, ky ishte një sulm i llogaritur.”- tha Rama në një intervistë për “Skynews”.

Ai vazhdoi të thotë: “Dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Kur kërkon falje, është në rregull – ndodhi. Kur nuk e bën, dhe kur e shmang, atëherë do të thotë se dëshiron diçka nga ajo që thuhet. Pra, do të thotë se ka një llogaritje pas saj, do të thotë që vërtet po flet me një numër të caktuar votuesish që duan të dëgjojnë këtë. Dhe ju po i ushqeni me këtë sepse keni nevojë për votat e tyre. Por pasojat e kësaj mund të jenë shkatërruese për njerëzit, për njerëzit tanë në Britani dhe për vetë Britaninë.”

Kryeministri Rama theksoi se ka ngritur vazhdimisht idenë e një force speciale të përbashkët me Mbretërinë e Bashkuar për të ndihmuar në shënjestrimin e trafikantëve.

“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të bëjmë gjithçka për të përmirësuar situatën këtu dhe për ta bërë atë gjithnjë e më të mirë për të gjithë. Por ne e dimë gjithashtu se çfarëdo që të bëjmë, Shqipëria nuk do të jetë Londër, nuk do të jetë Paris, nuk do të jetë Berlin.”– shton Rama.

Këto komente të Ramës vijnë pas debateve lidhur me emigrimin masiv të shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar. Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale. Ajo madje i konsideroi si “pushtues”.