Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja e Fredi Kokoneshit, çfarë thotë Policia dhe Prokuroria


Policia ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe shoferit të tij.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se është shoqëruar në Komisariat autori i dyshuar Orgest Xhelili, ndërsa të plagosurit po marrin ndihmën mjekësore.

“Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.

Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes.

Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”– tha Policia.

Në një prononcim jashtë ambienteve të spitalit, sipas gazetës Panorama është përgjigjur edhe prokurori i çështjes. I pyetur nëse plagosja e kryebashkiakut ishte e paralajmëruar, prokurori u shpreh: “Sikurse e deklaroi edhe drejtori i qarkut janë organizuar grupet hetimor, janë kryer perimet hetimore dhe ngjarja është dinamike. Do ju njoftojmë në vijimësi për ngjarjen”.