Vendosni fjalën kyçe....

Plagosen me thikë kryetari i bashkisë së Divjakës dhe shoferi i tij


Plagoset me thikë kryetari i bashkisë Divjakë Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij Gazmend Bullari. Ai bashkë me shoferin e plagosur janë dërguar në spitalin e Lushnjës, ku po marrin ndihmën mjekësore.

Policia ka vënë në pranga Orges Xhelilin, ish-punonjës i IT-së në bashkinë e Divjakës. Është e paqartë se cilat ishin motivet e konfliktit mes kryebashkiakut dhe punonjësit të IT-së.

“Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.

Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes.

Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”– tha Policia.

 Sipas televizionit “News 24”, Kokoneshi është goditur me thikë në shpatull dhe në krahë.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili është njëkohësisht drejtues politik i kësaj force politike për qarkun e Fierit, e ka vizituar në spital Kokoneshin.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se kryebashkiaku Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

“Ngjarja është shumë e rëndë, natyrshëm që shpresoj që edhe kolegu ynë dhe bashkëpunëtori I tij I ngushtë, punonjësi i nderuar i Bashkisë së Divjakës t’ja hedhin kësaj. Sipas mjekëve të dy i janë nënshtruar ndërhyrje kirurgjikale dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë për të dy. Është një ngjarje e rëndë që më vjen keq ta them, është produkt i kësaj ndasie dhe përçarjeje që mbillet çdo ditë. Shpresoj që çdo qytetar shqiptar ta kuptojë që në këto ditë të vështira dhe në këto kushte të vështira lufte të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë.

Ju lutem se ju mediat keni një huq shumë të keq! Edhe kur ka fatkeqësi ju e çoni gjuhën mbrapsht. Lëreni policinë dhe drejtësinë të bëjë punën e vet. Sepse t’i marrësh jetën tjetrit nuk ta justifikon për asnjë gjë. Pra dy persona sot po luftojnë për jetën. Nuk e di se kush është arsyeja, di që një i çmendur ka marrë thikën, ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar të godasë! Dhe po ju them se burimi i kësaj ndasie dhe urrejtje duhet të ndalet. Ne shqiptarët jemi pak, nuk jemi shumë dhe mjaft më duke vrarë njëri-tjetrin.”– tha Balla.