Vendosni fjalën kyçe....

Alarmi i rremë për bombë/ Policia zbulon kush e bëri telefonatën: Ishte një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor


Policia e Tiranës ka zbuluar kush ishte personi që paraditen e djeshme bëri telefonatën dhe ngriti alarmin e rremë për vendosjen e një sasie lënde eksplozive te Gjykata e Apelit. 

Sipas uniformave blu, bëhet fjalë për një 47-vjeçar i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

“Në vijim të veprimeve, nga Drejtoria e Antiterrorit u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale ‘Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik’, për shtetasin J. K., 47 vjeç, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor.”- tha Policia.

Ndërkohë thuhet se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë nxitur shtetasin J. K., të kryejë telefonatë të rremë në sallën operative, duke përhapur panik dhe duke vënë në alarm shërbimet policore.

Çfarë thotë Policia:

Identifikohet dhe procedohet penalisht shtetasi që telefonoi rreth orës 11:00, të datës 08.11.2022, në sallën operative të DVP Tiranë, për të njoftuar vendosjen e një sasie lënde eksplozive te Gjykata e Apelit. 

Strukturat e Policisë së Shtetit, përfshirë edhe Drejtorinë e Antiterrorit, u njoftuan për vendosje të lëndës eksplozive në godinën e Gjykatës së Apelit (pa u specifikuar konkretisht në godinën e cilës gjykatë apeli).

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Antiterrorit u kryen veprimet e para hetimore, verifikuese dhe kontrolluese, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të Repartit Special RENEA dhe me efektivët e komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 3, Tiranë.

Pas tërësisë së veprimeve të kryera, në asnjë nga ambientet përreth godinave nuk u gjet lëndë eksplozive.

Në vijim të veprimeve, nga Drejtoria e Antiterrorit u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, për shtetasin J. K., 47 vjeç, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor.

Vijojnë veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për dokumentimin e plotë të kryerjes së veprës penale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se kanë nxitur shtetasin J. K., të kryejë telefonatë të rremë në sallën operative, duke përhapur panik dhe duke vënë në alarm shërbimet policore.