Vendosni fjalën kyçe....

Fondet e pensioneve private numëronin 36 mijë anëtarë në fund të shtatorit


Numri i individëve të anëtarësuar në fondet private të pensionit u rrit më tej në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të muajit shtator pak më shumë se 36 mijë shqiptarë ishin të anëtarësuar në këto fonde. Fondet janë zgjeruar me afërsisht 900 anëtarë gjatë tremujorit të tretë dhe me 2400 të tillë që nga fillimi i vitit. Me gjithë rritjen e qëndrueshme, numri i anëtarëve përbën vetëm 2.8% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në shkallë vendi, i vlerësuar nga Anketa e Forcës së Punës së INSTAT.

Tregu i pensioneve private po rritet me ritme të qëndrueshme në vitet e fundit, por përmasat e tij ngelen modeste në raport me segmentet e tjera të tregut financiar shqiptar. Vlera neto e aseteve të tregut në fund të shtatorit arriti në 5.45 miliardë lekë ose rreth 46.5 milionë euro, në rritje me 19% që nga fillimi i vitit 2022. Asetet e fondeve të pensionit janë të investuara të gjitha në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare.

Edhe për shkak se tregu i pensioneve private ka nisur të marrë një zhvillim të mirëfilltë vetëm në vitet e fundit, përfitimet mesatare ngelen në nivele të ulëta. Asetet neto për anëtar në fund të muajit shtator kishin vlerën e 151 mijë lekëve.

Sipas numrit të anëtarëve, tregu kryesohet nga fondi Credins Pension, me 51.9% të numrit të përgjithshëm të tyre, i ndjekur nga Sigal Pension, me 27.9%, Albsig Pension, me 10.5% dhe Raiffeisen Pension, me 9.7%.

Sipas vlerës së aseteve, fondi më i madh është Sigal pension, me 44.2% të tregut, i ndjekur nga Credins Pension, me 29.2%, Raiffeisen Pension, me 21.5% dhe Albsig Pension, me 5.1%

Ligji i ri për fondet private të pensionit që pritet të miratohet këtë vit do të rrisë incentivat fiskale për të kontribuar në këto fonde. Aktualisht, kufiri maksimal kontributeve të përjashtuara nga tatimet është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas projektligjit të propozuar nga Qeveria, kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Konkretisht, sot përjashtimi nga tatimi do të shtrihej deri në një shumë kontributesh prej 34 mijë lekësh në muaj. Nëse ky propozim miratohet nga Kuvendi, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 408 mijë lekë në vit ose 92% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.

Gjithashtu, projektligji parashikon edhe përjashtim nga tatimi në momentin e përfitimit të pensionit të kontributeve. Pensioni do të tatohet vetëm për pjesën e interesave të përfituara (kthimit nga investimi), me shkallën tatimore ligjore në fuqi për të të ardhurat e individëve. Aktualisht, kjo shkallë është 15%.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al